Artane Rizvanolli, Ministre në detyrë e Ekonomisë, të premten e 3 korrikut tha se nuk i di detajet e rastit të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i dyshuar për shpëlarje parash dhe deklarim të rremë të pasurisë, por Rizvanolli më herët e kishte mbrojtur Berishajn dhe kishte tentuar që të argumentonte që Kompania GEN s’ka lidhje me Serbinë.
Në një intervistë për emisionin EURO që transmetohet në televizionin 7, Rizvanolli tha se nuk është marrë me çështjen e Berishajt, pasi që rasti ka ndodhur para se ajo të vinte në pushtet, ndonëse të dhënat se Berishaj është i akuzuar nga organet e rendit dhe se e ka pranuar vetë para Prokurorisë Speciale se ka marrë shuma të majme parash nga kompania GEN-I, dega në Beograd, janë publike.
“Rasti i Martin Berishajt, nuk i di detajet, duke qenë se edhe arsyeja kryesore se pse nuk i di detajet e nuk jam interesuar shumë, është se rasti që po hetohet, ka të bëjë me periudhën para qeverisjes tonë”, deklaroi Rizvanolli të premten.
Por, pikërisht për kompaninë GEN, Rizvanolli kishte folur në një seancë të Kuvendit të Kosovës. Ajo ishte përpjekur ta mbrojë, duke thënë se e njëjta është kompani sllovene dhe jo serbe.
“Kompaninë GEN që po e përmendni, GEN-i nuk është kompani serbe, por sllovene. Po më pëlqen që tash e keni ndryshuar kompani sllovene me bazë në Beograd në Serbi a qysh po thuni. Kjo është si me thënë Coca-Cola kompani amerikane me bazë në Serbi edhe me lidh me Serbinë këtë farë pune, është totalisht palidhje”, thoshte Ministrja më 28 prill të vitit 2022.
Jo vetëm kaq. Rizvanolli e kishte mbrojtur me zë e figurë ambasadorin Berishaj dhe ish-Kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi – i akuzuar për korrupsion – duke pretenduar se “s’ka fakte që kanë përfituar”.
“Nuk ka asnjë fakt asnjë arsye me besu që asnjëri prej tyre kanë fitu asnjë cent prej tregtimit të energjisë elektrike… Nuk është tregtar i rrymës… Nëse nuk e kam gabim se çfarë di në atë rast se me të thënë të drejtën nuk jam marrë shumë me të, por çfarë e di është çfarë flitet, ato që janë fole, janë para kohës së mandatit tonë. E dyta, ai ka punu si konsulent më duket për një kompani të energjisë”.
“Nuk ka asnjë fakt që ka përfitu [Martin Berishaj]. E katërta, nëse mendoni që një njeri i afërm me Lëvizjen Vetëvendosje ka vjedh një cent, a mendoni që nuk do të ishte në burg deri tash moti. Për Nagipin ende nuk thotë askush që e ka marrë asnjë cent që e ka vjedh”, thoshte Rizvanolli më 3 prill 2025, në emisionin Context që transmetohet në ATV.
Pra, pretendonte se nuk i di detajet e rastit të Berishajt, por nga ana tjetër e mbronte.
Pasi që afera e ambasadorit Berishaj doli në pah, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, duke përfshirë Kryeministrin Albin Kurti, vazhdimisht e ka mbrojtur.
“Nuk ka kurrfarë korrupsioni, përkundrazi do të ketë kallëzim penal e do të ketë sqarim në gjykatë për shpifje të tilla. Profesor Martin Berishaj është ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë, është patriot i Malësisë edhe është profesor i shkëlqyeshëm. Nuk ka gjë aty, ajo ishte pjesë e një fushate, që zhvillohej në Slloveni ku ish-kryeministri Jansha i humbi zgjedhjet dhe e përfshinë profesorin ambasador në disa luftëra të tjera të brendshme, ku nuk ka të bëjë asgjë as Qeveria dhe as diplomacia e Kosovës”, thoshte Kurti ndër të tjera më 27 qershor 2022, në emisionin Çim Peka live që transmetohet në televizionin Syri.
Më 26 qershor të vitit 2025, Berishaj ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale në Prishtinë si i dyshuar nga organet e rendit për shpëlarje parash dhe deklarim të rremë të pasurisë.
Për të njëjtat vepra penale, ai ishte intervistuar edhe në mars të vitit 2024.
Për Berishajn, fillimisht kishin raportuar mediat, mirëpo më pas, vetë ai, para një komisioni parlamentar në Kuvendin e Kosovës, e kishte pranuar se përderisa ka qenë ambasador ishte paguar nga kompania që merret me energji elektrike, GEN-I – dega në Beograd.
Ai ishte paguar me shuma marramendëse nga GEN-I serb, për të dhënë gjoja këshilla në lidhje me tregjet e energjisë në Ballkan.
Se ka marrë shuma të majme parash nga kompania GEN-i, dega në Beograd, Berishaj e ka pranuar në intervistën e tij para Prokurorisë Speciale, për të cilën VOX Kosova kishte raportuar më 23 janar të këtij viti.
Berishaj kishte themeluar edhe një kompani në Mal të Zi për këtë punë, “MB Consulting”, e cila nuk kishte asnjë punëtor, pos atij vetë dhe të cilën ai nuk e kishte deklaruar fare në deklarimin e pasurisë.
Ai kishte edhe dy kompani të tjera në Kosovë që po ashtu nuk i kishte deklaruar.
Pos këtyre, Berishaj kishte tërhequr shuma që kapin shifrat e milionave nga bankat në Kosovë dhe në Mal të Zi dhe asnjëherë nuk është sqaruar se çfarë ndodhi me paratë kesh që i ka tërhequr.
Përkundër këtyre dyshimeve për afera korruptive, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta shkarkuar atë nga pozita e ambasadorit.








