Vendet evropiane po e shohin Kosovën si një vend ku mund të transferojnë kriminelët për vuajtjen e dënimeve nga të dënuarit e tyre me burg.
Pas marrëveshjes me Danimarkën për transferimin e të burgosurve të huaj, edhe Belgjika po kërkon të bëjë një ujdi të ngjashme me Prishtinën, për t’i transferuar kriminelët e saj në burgjet kosovare.
Për këtë çështje, Ministrja belge e Drejtësisë Annelies Verlinden dhe ajo e Azilit dhe Migracionit Anneleen Van Bossuyt, janë duke qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovës dhe më pas do ta vizitojnë edhe Shqipërinë me qëllim arritjen e një marrëveshje për ndërtim ose marrje me qira të një burgu në njërën nga këto dy vende.
Aktualisht, në burgjet belge gjenden 307 shqiptarë, 253 prej të cilëve nuk kanë leje qëndrimi e për të cilët planifikohet rikthimi në vendin e origjinës, kanë raportuar mediat belge.
“Nëse një person i dënuar këtu, i cili nuk ka të drejtë qëndrimi, mund ta vuajë dënimin në vendin e origjinës, kjo do të thotë një zbatim i drejtë i dënimit dhe, njëkohësisht, një lehtësim i ndjeshëm për institucionet tona”, ka thënë Verlinden.
Në diskutimet që do t’i ketë pritet të përfshihet edhe shqyrtimi i nënshkrimit të një deklarate të përbashkët për ndarjen e pasurive të sekuestruara, në mënyrë që një pjesë e pasurive kriminale të konfiskuara në Kosovë apo në Shqipëri të derdhet në arkën e shtetit belg.
“Ballkani Perëndimor është sot një rajon kyç në luftën tonë kundër krimit të organizuar. Dua të vazhdoj të ndërtoj mbi besimin e ndërsjellë që është forcuar përmes bashkëpunimit intensiv gjatë viteve të fundit,” deklaroi ajo.
Në Kosovë, siç kanë raportuar mediat belege, bisedimet do të fokusohen në nënshkrimin e një marrëveshjeje ndihme të ndërsjellë ligjore, e cila synon të forcojë bashkëpunimin strukturor në fushën e çështjeve penale.
Në prag të vizitës në Kosovë, Ministrja Verlinden, ka bërë akuza të rënda për Kosovën, duke e paraqitur si “një vend transit për kontrabandën me njerëz”.
“Kosova është vend transit për kontrabandën e njerëzve dhe tregtinë e armëve, dhe gjithnjë e më shpesh përmendet në dosjet belge si qendër e aktiviteteve të pastrimit të parave”, citohet të ketë thënë Verlinden në gazetën DeMorgen.
Ndryshe, nëse arrihet marrëveshje për transferimin e të burgosurve, kjo do të ishte marrëveshja e dytë e Kosovës me një vend evropian, pasi një të tillë Kosova e kishte bërë edhe me Danimarkën në vitin 2022, e cila edhe ishte ratifikuar në Kuvend në maj të vitit 2024.