Ministrja e Drejtësisë në Belgjikë, Annelies Verlinden, ka bërë akuza të rënda për Kosovën, duke e paraqitur si “një vend transit për kontrabandën me njerëz”.

“Kosova është vend transit për kontrabandën e njerëzve dhe tregtinë e armëve, dhe gjithnjë e më shpesh përmendet në dosjet belge si qendër e aktiviteteve të pastrimit të parave”, citohet të ketë thënë Verlinden në gazetën DeMorgen.

E parja e drejtësisë belge këto deklarata i ka bërë para një vizite në Kosovë dhe Shqipëri me qëllim arritjen e një marrëveshje për ndërtim ose marrje me qira të një burgu në njërën nga vendet. Aktualisht, në burgjet belge gjenden 307 shqiptarë, 253 prej të cilëve nuk kanë leje qëndrimi e për të cilët planifikohet rikthimi në vendin e origjinës.

“Nëse një person i dënuar këtu, i cili nuk ka të drejtë qëndrimi, mund ta vuajë dënimin në vendin e origjinës, kjo do të thotë një zbatim i drejtë i dënimit dhe, njëkohësisht, një lehtësim i ndjeshëm për institucionet tona”, ka thënë Verlinden.

Veç tjerash, në këto diskutime pritet të përfshihet edhe shqyrtimi i nënshkrimit të një deklarate të përbashkët për ndarjen e pasurive të sekuestruara, në mënyrë që një pjesë e pasurive kriminale të konfiskuara në Kosovë apo në Shqipëri të derdhet në arkën e shtetit belg.

“Ballkani Perëndimor është sot një rajon kyç në luftën tonë kundër krimit të organizuar. Dua të vazhdoj të ndërtoj mbi besimin e ndërsjellë që është forcuar përmes bashkëpunimit intensiv gjatë viteve të fundit,” deklaroi ajo.

Në Kosovë, bisedimet do të fokusohen në nënshkrimin e një marrëveshjeje ndihme të ndërsjellë ligjore, e cila synon të forcojë bashkëpunimin strukturor në fushën e çështjeve penale.

Në rast se ndodh, kjo nuk do të ishte marrëveshja e parë e Kosovës me një vend evropian, pasi një të tillë Kosova e kishte bërë edhe me Danimarkën në vitin 2022, e cila edhe ishte ratifikuar në Kuvend në maj të vitit 2024.