Një numër i madh i policëve të Njësisë Speciale Operative është parë në Skenderaj në orët e mesnatës mes datës 14 e 15 maj. Këto lëvizje të Njësive të trajnuara për operacione të ndërlikuara në terren e operacione me rrezikshmëri të lartë, vijnë disa orë pas një përleshje që dyshohet të ketë ndodhur në këtë qytet mes Kryetarit të Komunës, Sami Lushtaku, dhe shefit të Vetëvendosjes në Skenderaj, Hysni Mehani – të cilën, Prokuroria në komunikatën e saj e cilësoi si “lëndim të lehtë trupor”.
Në lidhje me zhvillimet kanë reaguar zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës. Nënkryetari i Skenderajt që vjen nga ky subjekt politik, Fadil Nura, këtë manovër me Policinë, e cilësoi si “atmofserë tensioni e shtetrrethimi”, e cila sipas tij “në këtë qytet zgjon kujtime që i ka paguar shtrenjtë”.

Ndërkaq deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra, tha se “kjo që po ndodh në Skënderaj”, sipas saj “nuk i shërben as drejtësisë, as sigurisë, as qetësisë publike”.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më herët gjatë së enjtes (14 maj), tha se për ngjarjen janë arrestuar dy të dyshuar. Rastin e kishte klasifikuar si “lëndim të lehtë trupor”.
“Janë intervistuar në cilësinë e viktimave H.M., dhe B.Z., pesë (5) dëshmitarë si dhe dy (2) të dyshuar me iniciale E.L., dhe B.N., të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për dyzetë e tetë (48) orë, me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”. Ndërkaq, dy (2) të dyshuar tjerë për këtë rast me iniciale S.L., dhe K.H., deri në këto momente nuk i janë përgjigjur ftesës për intervistim”, njoftoi Prokuroria.









