Konfirmimi i Vjosa Osmanit se synon edhe një mandat pesëvjeçar në krye të shtetit, vetëm një ditë pas zgjedhjeve nacionale, për njohësit e skenës politike nuk përbën ndonjë surprizë. Ambicia e saj për vazhdimësi në pushtet shihet si një hap i pritshëm, meqë sipas tyre, karriera e Osmanit në presidencë nuk ka funksionuar si një rol i pavarur institucional, por më shumë si një zgjatim politik i Albin Kurtit.
Në këtë prizëm, njohësi i çështjeve politike, Afrim Kasolli, në një bisedë për VOX Kosova, ka thënë se roli i Osmanit është perceptuar jo si një faktor balancues, por si një “alter ego politike” që ka reflektuar dhe mbrojtur linjën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Nëse vlen të veçohet ndonjë rast sa i përket mospajtimeve me pushtetin, atëherë mund të përmendet një shkarje minore, kur në fjalimin vjetor para deputetëve, në fund të vitit të kaluar, Osmani e kishte akuzuar kryeministrin Kurti se e ka shndërruar politikën e jashtme në një lojë bixhozi. Por ky mospajtim momental, përballë subordinimit konstant, tregon se karriera e saj politike në krye të presidencës nuk ishte asgjë tjetër pos një alter ego e Albin Kurtit”, tha Kasolli.
Sipas Kasollit, për gati pesë vite në pozitën e të parës së shtetit, presidentja në masë të madhe e ka tjetërsuar zyrën më të rëndësishme të shtetit, e cila, sipas parimeve kushtetuese, duhet të jetë neutrale në raport me subjektet politike, duke e shndërruar atë në një agjenci administrative me qëllim të zbatimit të vullnetit politik të Albin Kurtit.
“Ajo asnjëherë nuk ka pasur guxim t’i kundërvihet retorikës agresive të pushtetit ndaj sistemit juridik, mediave etj., duke kalkuluar vetëm për fatin e saj personal. Mos të harrojmë faktin se jo shumë kohë më parë, Gjykata Supreme kishte konstatuar se mbajtja në të njëjtën kohë e dy pozitave, asaj ekzekutive dhe legjislative, nga ata që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës, është antiligjore. Por edhe në këtë rast, presidentja Vjosa Osmani ka qëndruar totalisht indiferente ndaj këtij abuzimi të pushtetit”, shtoi ai.
Në këndvështrimin e Bekim Çollakut, ish-këshilltar politik i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, presidentja aktuale u ka shërbyer, siç thotë ai, “me përkushtim interesave të ngushta të liderit të partisë-shtet” dhe se ajo tashmë e ka pothuajse të hapur mundësinë për rizgjedhje.
“Nuk paraqet lajm etja e presidentes aktuale edhe për një mandat tjetër. Në fakt, duke i shërbyer pushtetit, ajo e ka ndërtuar terrenin për këtë synim. Pengesat e vetme për ta arritur qëllimin e saj janë partitë opozitare, të cilat në të kaluarën ajo ka ditur t’i manipulojë me lehtësi të madhe. Se a do t’ia arrijë të bëjë të njëjtën gjë përsëri, mbetet të dëshmohet”, vlerëson Çollaku.
Sipas tij, rizgjedhja e Osmanit për një mandat të dytë do të ishte goditja e dytë dërrmuese politike për partitë opozitare, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e fundit nacionale të mbajtura më 28 dhjetor. “Prandaj, sado që duket mision i vështirë, partitë opozitare duhet t’i thonë jo një mandati tjetër për të, sepse ajo me asnjë veprim të saj nuk ka treguar paanshmëri politike. Partitë opozitare duhet të kenë një kandidat të tyre konsensual për president të vendit”, potencoi ai.
Megjithatë, ish-ministri i Integrimit Evropian konsideron se një president konsensual, sado pak, “do ta frenonte rrugën e Kosovës drejt një autokracie”. “Në rast të mungesës së mbështetjes për kandidatin e opozitës për president të Republikës së Kosovës, atëherë duhet kërkuar zgjidhje përsëri te kutitë e votimit. Fundja, çfarë kanë për të humbur më shumë partitë opozitare?”, përfundoi ai.
Gjatë gjithë periudhës së Osmanit në krye të shtetit, ajo është akuzuar nga opozita, por edhe nga njohës të zhvillimeve politike, se nuk e ka ushtruar funksionin e saj kushtetues si figurë unifikuese e spektrit politik.
Përkundrazi, në disa raste janë shënuar përplasje publike me opozitën, ndërsa një gjë e tillë nuk ka ndodhur, të paktën jo publikisht me kryeministrin Albin Kurti apo me kabinetin e tij qeveritar. Pavarësisht kësaj, më 29 dhjetor, Osmani në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka shprehur hapur dëshirën për të synuar edhe një mandat tjetër në krye të vendit.









