Këngë për njëra-tjetrën si “Mjeshtër i mashtrimeve” dhe “Llafe, llafe” shënuan publikisht, vetëm një vit më parë, përplasjet mes Presidentes Vjosa Osmani dhe kryetares së “GUXO-s”, Donika Gërvalla. Sot, inatet mes tyre duken të sheshuara dhe ka një arsye për këtë: Zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ishte vetë presidentja Vjosa Osmani, e cila në një paraqitje para mediave në korrik të vitit që shkoi, konfirmonte krisjen e raporteve me kryetaren e “GUXO-s”, Donika Gërvallën. I përgjigjej asaj me një këngë të Gili-t, i referohej si “mjeshtër i mashtrimeve, përsëritës i gabimeve”.

“Nuk do të komentoja raportet, por kemi dallime të qarta në qëndrimet me zonjën Gërvalla. Nuk është në interes të qytetarëve e as të Kosovës që ato mos të thuhen publikisht. Meqë doni me kangë të Dafinës me vazhdu, e ka një të re para 1 muaji: Me kast, me kast, mjeshtër i mashtrimeve, me kast, me kast përsëritës i gabimeve. Më falni është kënga e Gilit se idhnohet Gili”, thoshte Osmani.

Ishte kundërpërgjigje. Ngase një natë më herët, Gërvalla në një koncert me diasporën, i çonte një mesazh indirekt kryetarës së shtetit.

“Dafina le të këndojë këngën e presidentes “Llafe, llafe”, thoshte kryediplomatja Gërvalla, më 30 korrik të vitit që shkoi.

Raportet ishin tensionuar deri në atë pikë sa Osmani nuk bënte hapa t’ua zgjaste dorën Gërvallës e Pecit. Kjo kishte rënë në sy në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Ibrahim Rugovës në Podujevë.

Në një video që ishte publikuar asokohe Osmani shihet teksa përshëndetet me kryeministrin Albin Kurti me ish-presidentin Fatmir Sejdiu, mirëpo ministren Gërvalla e cila qëndronte pas tyre nuk e takoi dhe as përshëndeti. E pasi nuk u përshëndet me Gërvallën, presidentja shkoi të përshëndesë familjarët e Rugovës.

Momenti kur Osmani nuk ia shtriu dorën Gërvalles e Pecit

Mosmarrëveshjet mes “GUXO-s” dhe Vjosa Osmanit kishin marrë edhe përmasa të veprimeve në terren.

Ajo sivjet kishte organizuar Darkën e Lamës, ceremoni tradicionale, të cilën vitin e kaluar ia kishte përvetësuar dikur bashkëpartiaku i saj, Faton Peci.

Mospajtimet besohet se gjenezën e kanë në maj të vitit 2024, kur Presidentja Osmani doli duke deklaruar se nuk kishte dijeni për letrën që Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla kishte dërguar në Asamblenë Parlamentare të KiE-së ku zotohej për hartimin dhe dërgimin e një draft-statuti në Gjykatën Kushtetuese në këmbin të anëtarësimit në këtë organizatë.

Pak ditë më vonë nuk vonoi përgjigja e Gërvallës e cila tha se letra që kishte dërguar ishte brenda kompetencave të saj kushtetuese.

Raportet e ftohura mes Osmanit e GUXO-s së Gërvalles vazhduan publikisht deri dje, kur Presidentja, e cila sipas Kushtetutës “supozohet ta përfaqësojë unitetin e popullit”, e veçoi Faton Pecin nga të tjerët, dhe i shkoi për “për hajr” në zyrë pasi ky mori detyrën e kryetarit të Mitrovicës.

Nuk ndalet me kaq. Dy ditë para zgjedhjeve, Presidenca ka ftuar në një “ceremoni tradicionale” diasporën në një event që do të mbahet në një hotel luksoz.

VOX Kosova ka pyetur në Presidencë se a do të jenë të ftuar në këtë ceremoni liderë opozitarë apo vetëm ata të Qeverisë në detyrë, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.