Vjosa Osmani ka marrë sërish “pronësinë organizative” të Darkës së Lamës.
Presidentja e vendit e organizoi mbrëmë këtë darkë tradicionale, të cilën vitin e kaluar ia kishte përvetësuar dikur bashkëpartiaku i saj, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.
Në një postim për këtë ngjarje, Osmani ka shprehur falënderime për aleatë e përfaqësues të jetës institucionale dhe shoqërore që e “mbajnë këtë vend gjallë e krenar çdo ditë”.
“Darka e Lamës është një festë e mirënjohjes ndaj punëtorit, fermerit, ndaj begatisë, ndaj natyrës që na fal, dhe ndaj Zotit që na jep bekim. Është moment për të kujtuar se fuqia e një kombi nuk matet vetëm me numrat në ekonomi, por me lidhjen shpirtërore që ai ka me tokën e vet dhe me traditën”, thuhet ndërkaq në një komunikatë nga presidenca.

Por vitin e kaluar, me një tensionim të raporteve të Kryeministrit Albin Kurti, Ministrave Faton Peci e Donika Gërvalla me Presidenten Vjosa Osmani, “Darka e Lamës” nga një traditë presidenciale ishte bërë qeveritare.
E kishte organizuar Faton Peci, dhe aty nuk kishte marrë pjesë fare Presidentja Vjosa Osmani, por vetëm Kryeministri Kurti dhe përfaqësues tjerë të institucioneve ndërkombëtare e vendore.

E në Darkën e mbrëmshme munguan Kurti, Gërvalla e Peci.
Kurti gjendet në Londër, Gërvalla në New York, e Peci me gjasë i zënë më fushatë për raundin e dytë të zgjedhjeve në Mitrovicë.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, që në një ceremoni të ndërrimit të Komandës së KFOR-it u injorua fort nga Vjosa Osmani, në Darkën e Lamës u pa i ulur krah të pares së shtetit.









