Në pesë vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u ndaluan padrejtësisht.

Pesë vjet më vonë, kreu i PDK-së, përmes një postimi në Facebook, theksoi se “procesi po vazhdon të zvarritet, padrejtësia të rritet ndërsa e vërteta që ne e njohim dhe e dijmë, ende s’e ka marrë verdiktin që e meriton”.

“Ata shkuan në Hagë me kokën lart, pa u fshehur, pa u ankuar, pa kërkuar privilegje. Shkuan si burrështetas, si ushtarë të lirisë, me besim në drejtësi, me dinjitetin që ua dha historia dhe me dashurinë që ia dhanë Kosovës”, shkroi Krasniqi.

Ai potencoi se historia e Kosovës “nuk mund të rishkruhet në asnjë gjykatë”. “Ajo është shkruar me gjak, me sakrificë dhe me qëndresën e një populli që nuk u përkul kurrë”, shtoi.

Për 1,826 ditë, krerët e UÇK-së dhe familjet e tyre, Krasniqi pohoi se “kanë përballuar vuajtjen me qetësi, me durim e me besim. Për hir të së vërtetës dhe të drejtësisë”.

“Sot, pesë vjet më vonë, me mirënjohje, mall e krenari, Kosova kërkon asgjë më pak se atë që u takon bijve të saj: Drejtësi, të vërtetën dhe liri për çlirimtarët!”, theksoi Krasniqi.