Pesë vjet më parë, katër figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-krerë institucionesh, lanë Kosovën në një fluturim drejt Hagës – duke u mbyllur pas grilave në një betejë juridike që po shoqërohet me kritika të jashtëzakonshme për shkelje të të drejtave të njeriut.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po akuzohen nga Dhomat e Specializuara për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” – në një aktakuzë që portretizon si të tillë edhe të gjithë UÇK-në.

Dy vjet e gjysmë ata kaluan në paraburgim pa nisur gjykimi, e më pas mbi dy vjet në seanca dëgjimore – të mbushura me dëshmi kontroverse, dyshime për prova të manipuluara nga Serbia, standarde të dyfishta të drejtësisë dhe qasje të tejdukshme politike.

Të katër u akuzuan nga kryeprokurori Jack Smith, i cili më pas u rikthye në SHBA për të ndjekur penalisht Donald Trumpin – një hetim tashmë nën lupën e akuzave për abuzim me drejtësinë dhe përdorim politik kundër republikanit që u rizgjedh si president.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi nuk janë liruar në asnjë moment për t’u mbrojtur në liri.

Madje, as në rastet e vdekjeve në familjet e tyre nuk iu është lejuar pjesëmarrja në ceremonitë mortore – duke mundur vetëm disa ditë më pas të vizitojnë varret e të afërmve.

Kadri Veselit i vdiqën të dy prindërit gjatë kohës së paraburgimit, ndërsa Hashim Thaçit babai.

Procesi aktualisht është në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve të mbrojtjes.

Deri më tani kanë dëshmuar pesë dëshmitarë me peshë të madhe ndërkombëtare.

I fundit, Wesley Clark – ish-komandanti i NATO-s gjatë luftës së Kosovës – u konfirmua zyrtarisht si dëshmitar i mbrojtjes.

Para tij dëshmuan: James Rubin, ish-ndihmës sekretar i Shtetit i SHBA-së; Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje; John Duncan, ish-këshilltar i Clark-ut; dhe Jock Covey, zëvendëskryeadministrator i Kosovës nga viti 1999 deri në 2001.

Që nga ajo kohë, katër marshe madhështore në mbrojtje të UCK-së janë organizuar. Dy në Prishtinë, dy në Hagë, një në Tiranë dhe tjetra pritet në Strasbourg.