Kryetari i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, ka thënë se është optimist se në seancën e së hënës do të votohet Ligji për Gjykatën Speciale.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PDK-së, Hamza rikujtoi se ligji është iniciuar nga PDK-ja, por theksoi se është përkrahur masivisht nga qytetarët, derisa ftoi të gjithë deputetët që ta përkrahin.

“Nesër në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të jetë Ligji për Plotësim Ndryshimin për Dhomat e Specializuara. Kjo është një iniciativë ligjore e Partisë Demokratike të Kosovës, por përkrahur masivisht edhe nga qytetarët e Republikës së Kosovës për çka dëshiroj të shprehi mirënjohjen dhe falënderimin e tyre për përkrahjen e këtij projektligji, e ka marrë miratimin edhe nga Qeveria dhe tash i plotëson të gjitha kushtet që të procedohet në Kuvend. Nesër jam optimist se ligjin do ta përkrahin të gjithë deputetët edhe i lus edhe i ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që të jenë në mbështetje të këtij projektligji”, tha Hamza.

Kuvendi i Kosovës do të mbajë të hënën seancë plenare, duke filluar nga ora 9:00. Pikë e rendit të ditës është edhe shqyrtimi në lexim të parë i Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Paraprakisht, Ligji për Specialen do të diskutohet në Komisionin për Legjislacion, i cili do të mblidhet nga ora 8:00.