Kuvendi i Kosovës do të mbajë të hënën seancë plenare, duke filluar nga ora 9:00. Pikë e rendit të ditës është edhe shqyrtimi në lexim të parë i Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Paraprakisht, Ligji për Specialen do të diskutohet në Komisionin për Legjislacion, i cili do të mblidhet nga ora 8:00.

“Shqyrtimi i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar,” thuhet në njoftimin e Kuvendit që e ka siguruar VOX Kosova.

Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme për të hënën është bërë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Qeveria e Kosovës e miratoi Ligjin për Specialen në një mbledhje elektronike të premten.

Ky ligj u inciua nga Partia Demokratike e Kosovës pasi që Specialja dënoi krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar që fillimisht te votohet ligji dhe më pas mund ta zgjidhin çështjen e Presidentit, e cila ka afat deri më 6 tetor.

Hamza ka zhvilluar dy takime këtë javë me Kryeministrin Albin Kurti – të premten dhe të shtunën. Deri më tani nuk është thënë se kanë arritur ndonjë marrëveshje.