Sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), deputeti nga radhët e kësaj partie, Armend Zemaj, është përballur me një sul fizik nga një qytetar.

“LDK dënon ashpër sulmin e papranueshëm të ndodhur sot gjatë një interviste publike, ku deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, jo vetëm që është ofenduar dhe provokuar verbalisht, por edhe është përballur me sulm fizik ndaj tij”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Ky akt, thonë ata, “është i papranueshëm dhe përbën cenim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë personale të një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit e të LDK-së dhe ndaj vetë integritetit të institucioneve demokratike të vendit”.

“Sulmet, qoftë verbale apo fizike, ndaj përfaqësuesve të popullit dhe zyrtarëve të LDK-së, përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të dinjitetit institucional dhe të kulturës demokratike mbi të cilën ndërtohet shteti ynë. Mendimi ndryshe është vlerë themelore e demokracisë, por shprehja e tij kurrë nuk mund të kalojë në fyerje apo dhunë”, potencojnë tutje ata.

LDK ka shprehur solidaritet të plotë me deputetin Zemaj dhe ka ftuar organet e rendit dhe ligjit ta sqarojnë me përgjegjësi rrethanat e sulmit.

“Për LDK-në, respekti ndaj institucioneve dhe përfaqësuesve të tyre është respekt ndaj vetë shtetit dhe ndaj rendit demokratik. Kultura e debatit, e respektit dhe e dinjitetit duhet të mbizotërojë në jetën publike, si garanci e paqes shoqërore dhe e funksionimit demokratik të shoqërisë sonë”, deklarojnë ata ndër të tjera.