Teksa po jepte një intervistë në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë për gazetarin Astrit Gashi, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se është përleshur fizikisht me një qytetar nga i cili Zemaj ka treguar se është ofenduar dhe provokuar.

“Në atë moment reagova në mënyrë të vetëmbrojtjes në afekt, gjë e cila nuk përfaqëson as bindjet e mia personale, as parimet që unë përfaqësoj si deputet dhe si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Ai ka shtuar se në këto raste sulmi dhe fyerjesh të ulëta, “sigurisht do duhej të ruaja qetësinë dhe dinjitetin në çdo rrethanë dhe pavarësisht provokimit”.

“Dhuna, në çfarëdo forme, nuk është përgjigje e drejtë. Për këtë veprim, shpreh keqardhje dhe kërkoj falje publike”, potencoi deputeti i LDK-së.

Tutje, ai ka theksuar se ka respekt të plotë për çdo person, për çdo mendim dhe çdo kritikë, pavarësisht se sa e ashpër mund të jetë ajo.

“Andaj duhet të më shërbejë si mësim për të qenë më i durueshëm dhe më i përmbajtur në çdo situatë. Faleminderit të gjithëve për mirëkuptimin”.

Ndërkaq gazetari Astrit Gashi ka njoftuar se për incidentin është lajmëruar Policia e Kosovës, e cila i ka marrë të gjitha pamjet e xhiruara nga kamera.

“Për të lejuar hetimin policor e pa penguar dhe pa ndikuar, nuk do të lëshohem në detaje të incidentit”, shkroi Gashi në Facecook.

Policia bëri të ditur se për rastin në fjalë janë duke intervistuar palët e përfshira në incident.  

“Lidhur me incidentin palët e përfshira janë duke u intervistuar në polici. Për detaje shtesë do t’ju njoftojmë me kohë”, tha për VOX Kosova, zëdhënësi i Policisë, Enis Pllana.