Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar edhe Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili ishte miratuar në dy leximet nga Kuvendi i Kosovës më seancën e 5 dhjetorit 2024.
“TË KONSTATOJË, me 5 vota për dhe 2 kundër, që Vendimet… i Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes të cilit është miratuar Ligji… për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, nuk janë në përputhshmëri me nenet 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], 7 [Vlerat], 74 [Ushtrimi i funksionit], 76 [Rregullorja e punës] dhe 77 [Komisionet] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;”, thuhet në vendim.
Gjykata ka konstatuar se procedura e ndjekur për miratimin e këtij ligji, gjegjësisht vendimi për shmangien nga afatet procedurale përkitazi me shqyrtimin e Projektligjit për Byronë Shtetërore, si dhe vendimi për miratimin e Ligjit të kontestuar, janë në kundërshtim me nenet 4, 7, 74, 76 dhe 77 të Kushtetutës.
“…Gjykata konsideron se Vendimi për shmangien e afateve procedurale, duke iu përcaktuar deputetëve dhe komisioneve parlamentare, afate në kohëzgjatje prej gjithsej 20 minutave, respektivisht 5– 10 minuta për secilin komision parlamentar, për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Byronë Shtetërore, i cili përmban 72 nene, si dhe Vendimi për miratimin e Ligjit të kontestuar, i nxjerrë në po të njëjtën ditë kur u shqyrtuan dhe u miratuan në shqyrtim të parë dhe të dytë edhe 12 ligje të tjera, iu ka pamundësuar deputetëve dhe komisioneve ushtrimin e funksionit të tyre kushtetues dhe rrjedhimisht janë nxjerrë në kundërshtim me parimet dhe përcaktimet kushtetuese që burojnë nga nenet 4 dhe 7 të Kushtetutës dhe të drejtat dhe detyrimet gjatë ushtrimit të funksionit të deputetëve të përcaktuar me nenin 74 dhe procedurën dhe rregullat e miratimit të ligjeve sipas neneve 76 dhe 77 të Kushtetutës”, theksohet aty.
Vendimi për shfuqizimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është miratuar me pesë (5) vota për dhe dy (2) kundër.
Miratimi i këtij ligji ishte bërë në seancën e 5 dhjetorit 2024. Përveç deputetëve të Vetëvendosjes, ky ligj ishte mbështetur edhe nga ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Nga ana tjetër, ankesa në Kushtetuese ishte bërë nga 12 deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Kjo është hera e dytë që Ligji për Byronë rrëzohet nga Kushtetuesja. Fillimisht ishte miratuar në shkurt 2023, por pas kontestimit që ia kishin bërë deputetët e PDK-së, Gjykata, në korrik 2024, kishte vendosur se është anti-kushtetues.
Përveç këtij ligji, sot Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë vendim edhe për 15 ligje të tjera që janë kontestuar nga PDK-ja, e që janë miratuar në seancën e 5 dhjetorit 2024. 12 prej tyre, Kushtetuesja i ka shpallur anti-kushtetues.









