Në një përpjekje për të sqaruar takimet që Ish-shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila dhe përfaqësues tjerë politikë të Kosovës (pozitë e opozitë) mbanin me delegacione serbe vetëm pak kohë pas sulmit në Banjska, organizata Këshilli për Qeverisje Gjithëpërfshirëse (CIG) ka nxjerrë një deklaratë për media.

CIG, organizatë e stacionuar në New York, që këto takime i ndërmjetëson në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Zvicrës, argumenton se këto bisedime nuk janë sekrete, por më pas sqaron se ato mbahen në pajtueshmëri me “Chatham House Rule”, që praktikisht i bie të kenë nivel të lartë të konfidencialitetit.

Rregulli i “Chatham House” lejon që informacioni nga një takim të përdoret publikisht, por pa zbuluar se kush e ka thënë apo cilën palë përfaqëson. Kjo pra është një formë që u mundëson zyrtarëve të propozojnë dhe hartojnë zgjidhje të ndjeshme pa nevojën e transparencës dhe përgjegjësisë publike.

Organizata CIG ka thënë se ideja e këtyre organizimeve është “përmirësimi i kushteve për normalizimin e marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë, duke ofruar një forum jo-formal në të cilin pjesëmarrësit mund të prezantojnë perspektivat e tyre, kuptojnë më mirë pozicionet e të tjerëve dhe të vazhdojnë komunikimin kur kanalet zyrtare janë të limituara”.

Ndër të tjera, organizata, në deklaratën e shkruar, ka potencuar se “raportimet e nxjerra nga takimet nuk paraqesin pozicione ose përfundime të pranuara”, përkundër dokumentit që VOX Kosova publikoi ditë më parë, e ku në mënyrë eksplicite ndaheshin pikat në të cilat pjesëmarrësit pajtoheshin ose jo.