Nikos Dendias, Ministër i Mbrojtjes i Greqisë, ka njoftuar se ka pasur një takim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të enjten, por që nuk ka treguar se çka kanë diskutuar.

“Mëngjes pune me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë”, ka shkruar shkurt Dendias në llogarinë e tij në platformën X.

Nga ana tjetër, Kurti, por as zyra e tij, nuk kanë bërë asnjë njoftim në lidhje me këtë takim.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Ministria e Mbrojtjes së Greqisë, ka treguar se përveç Kurtit, Dendias do të vizitojë Shtabin e Kontingjentit grek në Kosovë, në objektet e KFOR-it.

Po ashtu, ai do të takohet me Komandantin e KFOR-it dhe zyrtarë të tjerë.

Greqia, së bashku me Spanjën, Qipron, Sllovakinë dhe Rumaninë, është njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Që nga ardhja e Kurtit në pushtet, Greqia është ndër vendet që ka vizituar më së shpeshti, paçka se si opozitar kishte qenë kritikues i madh i saj për shkak të çështjes çame.