“Sot me ne, është kryetari i Lëvizjes Vetëvendosja në Kosovë, mbështetës i çështjes çame…”
Ishte kjo koha kur Albin Kurti po shpërthente nga njëfarë entuziazmi patriotik e fjalori nacionalist.
Si në stilin e figurës kontraverse revolucionare, Che Guevara-s, Kurti po kalonte kufijtë e Kosovës për të shpërndarë idetë e tij politike, duke luajtur rolin e kujdestarit të historisë e bajraktarit të bashkimit kombëtar.
Kjo paraqitje e Albin Kurtit ishte në Tiranë, në qershor të vitit 2014, kur po shënohej 70-vjetori i gjenocidit grek ndaj çamëve.
Në fjalimin e tij do të nxirrte qëndrime të rënda për Greqinë.
“Grekët e serbët janë shtete ekspansioniste. Kjo nuk ka ndryshuar, fatkeqësisht, as pas 170 vjetësh. Dhe kjo nuk do të ndryshojë vetvetiu. Kjo do të ndryshojë vetëm atëherë kur shqiptarët do të ngrihen, do të krijojnë shtete të fuqishme dhe do t’i zmbrapsin apetitet e shovinistëve serbë e grekë.”
Për të, Çamëria nuk duhet të harrohet as nga shqiptarët dhe as nga ndërkombëtarët.
“Në hartën e gjenocideve dhe spastrimeve etnike të Evropës duhet të zërë vend edhe Çamëria”.
Për dhunën fashiste ndaj çamëve kërkonte drejtësi.
“Në Çamëri është ushtruar dhunë fashiste. Kjo dhunë fashiste nuk duhet të harrohet dhe kjo dhunë fashiste duhet të korrigjohet me drejtësi institucionale, me drejtësi politike, me drejtësi shtetërore”.
Akuzat e tij ndaj Greqisë nuk kufizoheshin vetëm në të kaluarën.
“Pikërisht ata që bënë gjenocid ndaj shqiptarëve në trojet e tyre autoktone janë të njëjtët ata që nuk e pranojnë pakicën shqiptare sot në Greqi”.
Herë të tjera Kurti do të bënte kilometra deri në skajin jugor të Shqipërisë, në ceremoni përkujtimore për mijëra çamë të vrarë e dëbuar nga Greqia në vitin 1944.
Ulliri që mbolli në vitin 2012 në Kllogjër të Sarandës, në nisje të ndërtimit të varrezave të çamëve, do të thahej pas disa muajve.
E me kalimin e viteve, ky diskurs nacionalist i Kurtit do ta sillte atë në pushtet, por këtu do të fillonte të thahej edhe kujtesa dhe angazhimi i tij për çështjen çame – njëjtë sikur për bashkimin kombëtar.
Befasisht, Greqia do të bëhej destinacioni më i shpeshtë i tij politik e turistik.
Do ta takonte disa herë në Athinë e në vende të tjera kryeministrin grek, do të qëndronte në shtetin helen për pushime, do të darkonte atje me ndërmjetësuesin evropian në dialogun me Serbinë, do të merrte pjesë disa herë në simpoziume buzë bregdetit, e do të priste në Prishtinë ministra e ish-kryeministra grekë.
Për më tepër, kompanitë greke, gjatë qeverisjes së Kurtit, kanë marrë punë milionëshe në sektorin e energjisë në Kosovë. Madje, një nga pikat e aktakuzës për korrupsion ndaj ish-zyrtarit të Vetëvendosjes e ish-drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, lidhet me një kurdisje tenderi për një kompani greke.
Kurti, prej se u bë Kryeministër, nuk foli më publikisht për Çamërinë.
Vox Kosova e ka pyetur zyrën e kryeministrit, por nuk mori përgjigje, nëse gjatë vizitave të Kurtit në Greqi i dha zë çështjes çame siç bënte në vitin 2014.
Po, është e rëndësishme që Kosova të ndërtojë raporte të mira me një shtet evropian, në këtë rast Greqinë. Të kërkojë e sigurojë njohjen formale nga ana e saj.
Megjithatë, nëse ishte kaq i vërtetë ai qëndrim i tij i dikurshëm për Çamërinë dhe Greqinë, pse nuk mund të shkojnë tash të dy kërkesat bashkë: ajo për njohje dhe drejtësi për çamët?
Pse, krejt papritmas, Çamëria u fshi nga kujtesa dhe pse tash Greqia përfaqëson frymëzim për të në pushime e simpoziume?
Opozitari që dikur, para masave, u kërkonte të tjerëve të mos harrojnë, atyre me fuqi pushteti të veprojnë për Çamërinë e bashkimin kombëtar, Greqisë drejtësi e kompensim, Evropës njohje të gjenocidit – tash kur është veshur me pushtet, ka zgjedhur heshtjen dhe ikjen, për të na treguar se gjithçka që fliste e bënte dikur ishte veç një kalkulim.








