Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka fajësuar mungesën e institucioneve funksionale për mungesën e gjashtë gjeneralëve në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ndonëse shumica e pozitave kanë mbetur të zbrazta që prej kur Qeveria ishte me mandat të plotë.
“Sa i përket çështjes së lidershipit të lartë, ne kemi pasur disa pozita vakante të gjeneralëve dhe arsyeja pse nuk janë plotësuar ka qenë për shkak se nuk kemi pasur institucione, sepse dihet që për të vendosur në pozita gjeneralësh, që është grada më e lartë, duhet të kemi funksionale qeverinë me mandat të plotë, por gjithashtu duhet të kemi edhe president”, ka thënë Maqedonci për KosovaPress.
Ndonëse Kosova nuk ka Qeveri me mandat të plotë e as President të tillë, Maqedonci ka thënë se tashmë janë në fazën përfundimtare të procesit dhe se po pret raportin e Komandantit të FSK-së, Bashkim Jashari, për ta përcjellë tek Kryeministri dhe Presidentja.
“Tani edhe në këto momente kur po flasim jemi në përfundim të procesit, sepse bëhet një bord, pra një bord që është funksional aktualisht, i cili bën selektimin, pra përzgjedhjen e kandidatëve për gjeneral. Pastaj komandanti ka të drejtë, në bazë të rregullores, të përcaktohet për secilën pozitë nga një emër për gradë. Pastaj unë do ta përcjell atë dokument te kryeministri dhe prej tij shkon te presidentja për miratim. Ne po vazhdojmë këtë procedurë. Aktualisht, kur po flasim, është përfunduar raporti nga bordi. Me komandantin jemi duke punuar që të kemi edhe raportin nga ana e tij dhe pastaj atë raport unë do ta përcjell te kryeministri dhe te presidentja”, përfundoi ai”, ka deklaruar Maqedonci.
Më 06 qershor, VOX Kosova raportoi se FSK-së i mungojnë 6 gjeneralë nëpër pothuajse gjithë zingjirin komandues: Shtabin e Përgjithshëm, Komandën e Forcave Tokësore, Gardën Kombëtare, Komandën e Logjistikës, Drejtorinë e Inteligjencës e Drejtorinë e Burimeve Njerëzore.
Mungesa e gjeneralëve cilësohet të ndikojë drejtpërdrejt në funksionimin e zinxhirit komandues, në planifikimin operacional, në koordinimin e njësive dhe në proceset e zhvillimit profesional të Ushtrisë.









