Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka njoftuar se që nga nesër e deri më 16 shkurt, në të gjitha shkollat e Ferizajt, ora e parë mësimore do t’i kushtohet historisë, lavdisë e luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
“Në shënim të 18 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, si tashmë tradicionalisht, në të gjitha shkollat e Komunës së Ferizajt, ora e parë mësimore i kushtohet rrugëtimit tonë popullor drejt lirisë, historisë, sakrificës, lavdisë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – krenarisë kombëtare e emblemë lavdiplote e lirisë së Kosovës”, shkroi Aliu në Facebook.
“Për historinë tonë krenare e të lavdishme, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për amanetin e Heronjve e Dëshmorëve të Kombit, për sakrificën ndër breza për lirinë, pavarësinë e Republikën, kujtojmë me krenari të kaluarën e bashkë ndërtojmë të ardhmen”, shtoi ai.
Njësoj ka vendosur edhe Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Ai ka njoftuar që më 16 shkurt, në të gjitha shkollat publike të Kryeqytetit, ora e parë mësimore do t’i kushtohet UÇK-së.









