Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se më 16 shkurt, në të gjitha shkollat publike të Kryeqytetit, ora e parë mësimore do t’i kushtohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Në prag të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në të gjitha shkollat publike të Kryeqytetit, ora e parë mësimore e datës 16 shkurt do t’i kushtohet historikut, rolit dhe sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)”, shkroi Rama në Facebook.
Si Kryeqytet, Rama theksoi se kanë “obligim institucional dhe moral të kultivojmë te brezat e rinj respekt për historinë, sakrificën dhe idealet tona”. “Kujtesa historike është themel i identitetit dhe respektit për shtetësinë!”.
I pari i kryeqytetit tregoi se kjo ishte kërkesë edhe e grupit të asamblistëve të PDK-së në Prishtinë, “me qëllim që brezat e rinj të njohin rrugën e lirisë, kontekstin historik të shtetformimit dhe përgjegjësinë që kemi ndaj kujtesës kolektive”.









