Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci e ka ndryshuar versionin sa i përket vendit se ku ka ndodhur audio-incizimi që u publikua nga VOX Kosova. Fillimisht, në paraqitjet e tij dhe postimet në rrjetet sociale, ai thoshte se ka ndodhur në zyrën e tij, ndërsa tani thekson se ka ndodhur në Hotel Emerald.
Këtë version të ri, Lladrovci e paraqiti të enjten, ku reagoi në lidhje me faktin se Prokuroria Speciale ka nisur shqyrtimin e materialit të audio-incizimit, të cilin tha se e mirëpret.
“E mirëpres këtë veprim, sepse kam kërkuar prej kohësh të bëhet hetim për audio-incizimet nga një burim në Drenas dhe për këtë çështje, pas denoncimit tim, Policia e Kosovës ka mbajtur shënim zyrtar prej kohësh”, shkroi Lladrovci në Facebook.
Në shpjegimin e sipër të kësaj situate, ai tregoi edhe lokacionin se ku ka ndodhur biseda, ku diskutoheshin milionat e jepeshin premtimet për mbindërtim.
“Audio-incizimi i publikuar ditë më parë, është i prerë, i ripunuar dhe është regjistruar më 29 maj 2023, pas orës 17:00, në Hotel ‘Emerald’, në Restoranin e Katit të pestë”, pohoi Lladrovci.

Por, para kësaj ai kishte thënë vazhdimisht se incizimi ishte bërë në zyrën e kryetarit, pra në zyrën e tij.
“Audio-incizimi në Zyrën e Kryetarit, dëshmon qartë se kam pasur interesim të jepet ajo pronë për shfrytëzim për investitorët e mundshëm…”, thoshte Lladrovci në një postim në Facebook të hënën, ku tregohej i gatshëm për debat, pasi që VOX-i publikoi audio-incizimin.

Disa orë më parë, VOX Kosova raportoi se Prokuroria Speciale ka nisur shqyrtimin e materialit të audio-incizimit dhe ka autorizuar policinë që ta sigurojë materialin dhe t’i marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë në këtë rast.