Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë  se “zgjedhjet e reja në vend duhet të shmangen”. Pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ai tha një proces i ri zgjedhor si pasojë e dështimit të zgjedhjes së Presidentit, “nuk do të sillte rezultat ndryshe nga zgjedhjet e 28 dhjetorit”. Shtoi, se në rast se ka emra të përveçëm për të cilët ka pajtueshmëri “do të ishte rrezik tepër i madh të synohet të jenë 80 apo 81 deputetë në sallë”, duke thënë se komoditeti do të arrihej vetëm nëse “84 apo 85 do të ishin të pranishëm në momentin e votimit”.

“Me fjalë të tjera, është vështirë që ta paramendojmë një fushatë zgjedhore ku ne risjellim platformat dhe programet tona me po të njëjtat zotime, kërkojmë sërish votën e të njëjtëve qytetarë për një rezultat që e dimë që nuk mund të jetë shumë ndryshe”, tha Kurti.

Lideri i Vetëvendosjes refuzoi të fliste për emra konkretë që mund të jenë diskutuar në takim me Abdixhikun. 

“Jemi transparent për procesin por duhet ta ruajmë konfidencialitetin e bisedimeve. Në momentin kur propozimet, iniciativat sjellin rezultat konkret atëherë do të mund të përgjigjemi konkretisht për të arriturat. Por përderisa ky s’është rasti, nuk mund të flasim për mendime që i themi aty e të cilat as nuk kanë sjellur dështim, por as sukses”, shtoi

Nga ana tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha pas takimit me Kurtin se “nuk ka rrethanë të re politike” duke aluduar se s’ka marrëveshje me të parin e Qeverisë. Theksoi, se “një partie nuk mund t’i takojnë të gjitha pozitat shtetërore”.