Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kundërshtuar shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare nga Gjykata Speciale në Hagë.

Përmes një komunikate për media, nga PDK kanë thënë se kjo vonesë është dëshmi që procesi gjyqësor i stërzgjatur ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka humbur kuptimin dhe, sipas tyre, është shndërruar në proces të ndikuar nga kalkulimet politike.

“Shtyrja e fundit është një goditje tjetër ndaj besimit tonë në drejtësi dhe një padrejtësi e shtuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët prej rreth pesë vitesh e gjysmë po mbahen në paraburgim, duke ua shndërruar këtë masë në një dënim të heshtur të imponuar përmes vonesave të përsëritura”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Partia më e madhe opozitare në vend i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të drejtësisë që të mos lejojnë që ky proces të shndërrohet në shembull të dështimit të drejtësisë ndërkombëtare.

“PDK mbetet e palëkundur në bindjen për pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkon një vendim përfundimtar, pa vonesa të mëtejshme, i cili do të mundësojë rikthimin e tyre në Kosovë”, potencohet aty.

Vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së parashihej që të jepej deri më 19 maj, por të martën, u bë e ditur se Paneli i Trupit Gjykues në Hagë ka kërkuar 60 ditë kohë shtesë për shpalljen e aktgjykimit në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Kjo nënkupton që nëse kjo periudhë kohore konsumohet nga gjykatësit, vendimi pritet të jepet deri më 20 korrik të vitit 2026.