Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka reaguar pas publikimit të një videoje nga një tubim në Ferizaj, ku ai thotë “kur jemi te frizerkat”.
Ai mohoi kategorikisht se deklarata e tij kishte të bënte me Ish-Presidenten Vjosa Osmani.
Përmes një statusi në Facebook, Konjufca tha se zakonisht nuk reagon ndaj lajmeve të rreme, pasi sipas tij, “sot kjo të imponon të reagosh pothuajse çdo orë”, por kësaj radhe vendosi të flasë për shkak të asaj që e quajti “luftë speciale” dhe përpjekje për të kontaminuar skenën politike.
Ai sqaroi se gjatë atij tubimi ishte ndërprerë nga një “pseudogazetar”, i cili kishte përdorur termin “frizere”. Sipas Konjufcës, ai reagoi vetëm ndaj përdorimit përçmues të këtij termi, duke theksuar se shumë gra dhe vajza në Kosovë e ushtrojnë me dinjitet këtë profesion dhe mbajnë familjet e tyre përmes tij.
Konjufca tha se në përgjigjen e tij kishte përmendur edhe faktin që profesioni i frizeres është përfshirë në programin e arsimit dual të inauguruar nga Qeveria, si dëshmi e rëndësisë së këtij profesioni.









