Nga Partia GUXO e kanë pranuar dorëheqjen e nënkryetarit Haxhi Avdyli. Në dorëheqjen e tij, Avdyli tha se këtë veprim po e bën për shkak të sulmeve ndaj Presidentes Vjosa Osmani, por nga GUXO kanë thënë se nuk janë të përfshirë në linçimet publike ndaj Osmanit.
“Për shkak të disa pretendimeve për motivet e dorëheqjes, e ndjejmë obligim të konfirmojmë se askush nga Partia Guxo nuk është përfshirë dhe nuk përfshihet as në debate të ulëta dhe as në linçime publike të askujt e aq më pak të Presidentes së Republikës”, thuhet në reagimin e Partisë Guxo.
GUXO ka thënë se Kryesia e partisë e pranon këtë dorëheqje dhe “e sheh si të drejtën dhe zgjedhjen e tij të vullnetshme dhe të pakontestueshme”.
“Në të njëjtën kohë, në emër të anëtarësisë dhe përkrahësve, Partia Guxo e falënderon deputetin Avdyli për rrugëtimin e përbashkët të derikëtushëm si dhe kontributin që ka dhënë për Partinë Guxo”.
Si kryesi e Partisë Guxo, ata thanë se i dëshirojnë “shëndet dhe elan për punë të mbara e shumë suksese në angazhimet e ardhshme profesionale!”.









