Haxhi Avdyli, nënkryetar i Partisë Guxo, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat brenda partisë për shkak të sulmeve ndaj Presidentes Vjosa Osmani, të cilat filluan pasi e njëjta e shpërndau Kuvendin pas dështimit të seancës për zgjedhjen e Presidentit.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Avdyli, përmes një postimi në Facebook, të hënën.

“Në shenjë proteste, dhe për të mos identifikuar veten me këtë fushatë të ulët, kam vendosur të jap dorëheqje të parevokueshme, nga të gjitha pozitat në Partinë Guxo”, shkroi Avdyli në Facebook.

Ai tha se sulmet “e paskrupullta ndaj Presidentes Osmani, deri edhe në thirrje për pushkatim, si dhe linçimet publike ndaj saj nga figura të njohura e panjohura, përfshirë edhe sulme ndaj fëmijëve të saj, janë një politikë që do të duhej t’i përkiste së kaluarës së hidhur”.

“Manipulimet me inteligjencë artificiale, të cilat e dehumanizojnë Presidenten dhe ata që mendojnë ndryshe, vetëm që të nxisin urrejtje të pakontrollueshme, e për qëllime elektorale me të vërtet janë të gërditshme”, shtoi ai.

Kjo fushatë, sipas tij, “e thirrje për dhunë është sa  rrezikshme dhe tërësisht e papranueshme për mua, dhe më ka prekur shumë”.

“Si njeri që gjithmonë ka promovuar paqen, dialogun, mirëkuptimin dhe respektin edhe me njerëz me të cilët kemi dallime politike, unë nuk mund të rri i heshtur e i strukur përballë një situate të tillë”.

Sot është Vjosa, thotë ai, “nesër mund të jem unë, pasnesër ju, apo vajza e djali juaj që mund të kenë një bindje apo ambicie legjitime të dallueshme nga Partia”.

Haxhiu deklaroi se qëndrimin e tij për procesin e fundit politik, e ka thënë publikisht në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes në prani të Albin Kurtit dhe po ashtu në kryesi të GUXO.

“Ne disa, me respekt të ndërsjelltë, jemi pajtuar, që s’po pajtohemi me orientimin që po merrte shumica e grupit tonë politik. Por edhe pse ishte ky mospajtim politik i rrallë mes nesh, nuk do ta kisha menduar kurrë që do pasonte  kjo fushatë bazuar në linçim, fyerje, shpifje të ulëta e deri në kërcënime nga kolegë deputetë, politikanë, miq të mi të njohur e panjohur, nga mu ata që deri para 5 ditësh e quanin Vjosa Osmanin krenari të Kosovës”.

Prandaj, në shenjë proteste, dhe për të mos identifikuar veten me këtë fushatë të ulët, Avdyli theksoi se ka vendosur të jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në Partinë Guxo.

“Uroj dhe shpresoj që, për hir të Kosovës dhe të ardhmes së fëmijëve tanë, kjo dorëheqje e ime, si deputet në 5 mandate, 3 mandate nga lista me VV, të ju shërbej sa do pak që të mendoni me kokë të ftohur, që të jetë apel nga një deputet që ka dhënë shumë për këtë 50% e 51% , që ta ndrroni strategjinë denigruese, ta ndalni gjuhën e urrejtjes dhe dhunës”.

Ai ka kërkuar që të mbahen qëndrime politike, por “aman shpërndani më shumë respekt e dashuri mesh nesh, sepse ajo është që na duhet”.

“Rrugët politike mund të na ndahen, e mund të na bashkohen, por njerzillëkun brenda nesh s’bën ta vrasim. Sepse Liria e ardhmëria e Republikës sonë duhet të jetë mbi gjithçka”.