“Nuk kemi kandidat. Të gjitha janë spekulime. Partia Demokratike e Kosovës nuk ka kandidat për President pa marrëveshje paraprake”, ka thënë Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
Këto komente, Hamza i ka bërë në një prononcim për gazetarë duke hyrë në objektin e Kuvendit të Kosovës, ku po shkonte në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PDK-së, pasi që u pyet nëse Justina Pula, kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, është e propozuara e partisë që ai drejton për Presidente.
“Ne kemi fol për parime. Kemi dashtë me pasë vendi President. Urojmë që të ketë President. Ne kemi kërkuar që paraprakisht të dakordohemi që Presidenti të zgjidhet i propozuari nga radhët e PDK-së, një emër i dinjitetshëm, që s’do të thotë brenda strukturave të PDK-së, por mund të jetë edhe jashtë strukturave të PDK-së që i ka atributet dhe kualitetet që duhet t’i ketë një President”, tha Hamza.
I pyetur nëse ka ftesë për takim me Kryeministrin Albin Kurti, për të diskutuar për çështjen e Presidentit, Hamza tregoi që nuk ka.








