Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar në tërësi Udhëzimin Administrativ për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policorë, duke aprovuar padinë e paraqitur kundër Policisë së Kosovës.

Në aktgjykim, Gjykata vlerëson se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka tejkaluar autorizimet që i jep ligji, pasi përmes një akti nënligjor ka ndryshuar sistemin e gradimit, e jo vetëm procedurën e tij. Sipas Gjykatës, Ligji për Policinë autorizon nxjerrjen e rregullave procedurale, por jo krijimin e kategorive të reja të gradimit apo lejimin e fitimit të dy gradave njëherësh.

Një nga arsyet kryesore të shfuqizimit ishte dispozita që u mundësonte zyrtarëve policorë me të paktën 10 vjet përvojë, të cilët nuk ishin graduar më parë, të aplikonin për dy grada njëkohësisht. Gjykata konstatoi se kjo bie ndesh me sistemin ligjor të gradimit, parimin e meritokracisë dhe trajtimit të barabartë të zyrtarëve policorë.

Po ashtu, Gjykata gjeti se Udhëzimi ishte hartuar me shkelje procedurale, pasi nuk ishte arsyetuar nevoja për nxjerrjen e një akti të ri, nuk ishin zhvilluar konsultime të mjaftueshme me palët e interesuara dhe nuk ishin respektuar standardet për hartimin e akteve normative.

VOX Kosova kishte raportuar për këto ndryshime ligjore në momentin kur Ministria e Punëve të Brendshme e Xhelal Sveçles pati lajmëruar se ishte nënshkruar Udhëzimi i ri Administrativ.

Përndryshe, që prej 10 vitesh Policia e Kosovës nuk ka pasur proces të gradimit, gjë që edhe Auditori e kishte paraqitur si një ndër problematikat kryesore të Policisë, pasi ka policë të cilët e kryejnë pozitën e rreshterit pa u paguar si të tillë ose pa qenë fare rreshterë apo togerë.