Punët që është dashur t’i kryej për gjashtë vjet mandat, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka marrë me nxitim t’i kryejë para zgjedhjeve të 7 qershorit.
Pasi nisi ditë më parë procedurat për themelimin e xhandarmërisë, Sveçla, 10 ditë para zgjedhjeve, hapi procesin e gradimit të zyrtarëve policorë, diçka që nuk është realizuar për më shumë se 10 vjet.
Për këtë, ministri ka nënshkruar një udhëzim të ri administrativ, ndonëse një tjetër ekzistonte qysh moti, i nënshkruar nga ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.
Dallimi në mes këtyre dy udhëzimeve nuk është esencial, përpos disa pikave specifike.
Vlerësimi i performancës, me praktikën e kaluar, kishte vlerë 10%, ndërsa Xhelal Sveçla e ka ulur në 5%.
Neni 13 i të vjetrit lejonte avancimin e policëve vetëm nga një gradë pas tjetrës.
Në udhëzimin e ri, në nenin 7, lejohet procedurë speciale gradimi për zyrtarët që kanë stagnuar mbi 10 vite.
Në këtë rast, një polic i lartë mund të avancohet edhe si rreshter, edhe si toger.
Në vitin 2024, Inspektorati Policor i Kosovës anuloi gradimin, pasi gjeti parregullsi – ndër to shpërndarje të testit dhe përfshirje të jashtëligjshme të një gjenerate.
Nevoja për gradim në Policinë e Kosovës është ndër më jetiket, për shkak se zyrtarëve që kanë dhënë kontribut në institucionin më të rëndësishëm të sigurisë në vend u është pamundësuar avancimi tash e sa kohë.
Me hapjen në këtë kohë të procesit të gradimit, qeverisja e Vetëvendosjes po e dëshmon se vendimet nuk i ka të kalkuluara mbi nevojat për reforma dhe rezultate në shtet, por mbi kalkulime momentale elektorale.
Kush e di, ndoshta në këtë ritëm, shpejt policët mund t’i marrin edhe uniformat e këpucët e reja – që shteti nuk ua ka blerë tash e sa kohë.








