Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i dënuar me 15 vjet burg nga Gjykata Speciale, po vazhdon të qëndrojë në objektet e paraburgimit në Hagë, pavarësisht dënimit të plotëfuqishëm ndaj tij. Kjo, edhe pse Dhomat e Specializuara kishin arritur marrëveshje me Belgjikën që të dënuarit potencialë në DHSK, të mund të vuajnë dënimet në burgjet belge. Edhe sipas Ligjit, i dënuari mund të dërgohet për vuajtje të dënimit në ndonjë shtet që ka treguar gatishmëri për pranimin e tij.

Vetë Gjykata Speciale nuk ka përgjigje se kur do të ndodhë transferimi i “Calit” nga Qendra e Paraburgimit. VOX Kosovës, ky institucion i tha se për këtë duhet të marrë një vendim Kryetarja e Gjykatës, Ekaterina Trendafilova.

“Bazuar në parashtrimet publike aktuale, ende nuk është përcaktuar se ku do ta vuajë dënimin Salih Mustafa. Derisa të merret një vendim nga Presidenti i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), nuk mund të spekuloj se ku mund të vuajë dënimin”, thuhet në përgjigjen e Speciales.

Ndonëse thonë se rregullat përcaktojnë se transferimi i të dënuarit duhet të kryhet “sa më shpejtë”, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

“Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave, Presidenti i DHSK-së, pasi të ketë dëgjuar personin e dënuar, vendos në cilin shtet do ta vuajë dënimin personi i dënuar. Ligji dhe Rregullorja nuk përcaktojnë një afat të caktuar se kur duhet të bëhet transferimi i personit të dënuar; përkundrazi, rregullat përcaktojnë se “transferimi i personit të dënuar duhet të kryhet sa më shpejt që të jetë e mundur”, shton.

Në qershor të vitit 2025, Belgjika dhe Gjykata Speciale kishin arritur marrëveshje 16 pikëshe për zbatimin e dënimeve. Dakordësi me ndonjë shtet tjetër sa i përket shfrytëzimit të burgjeve, Specialja nuk ka njoftuar se ka.

Marrëveshja në fjalë nënkupton se të dënuarit nga Specialja mund të dërgohen në burgjet e shtetit belg.

“Sipas kësaj marrëveshjeje, personat e dënuar nga DHSK-ja mund ta kryejnë dënimin me burgim në Belgjikë, në varësi të kushteve që cakton DHSK-ja dhe miratimit të Belgjikës”, thotë gjykata në njoftimin e saj.

Sipas dakordimit të arritur, në Belgjikë mund të dërgohet edhe personi që është dënuar vetëm në shkallë të parë në Speciale.

Kjo nënkupton se nëse ndaj tij zhvillohen procedura në shkallë të tjera, Belgjika është e obliguar ta çojë në Hagë dhe ta kthejë nga atje të dënuarin varësisht nga orari i seancave.

Gjithashtu, nëse dënimi i dhënë nga Specialja është më i madh se dënimi i parashikuar me ligjin e Belgjikës, i burgosuri në këtë rast duhet të transferohet në një shtet tjetër.

16 pika | Arrihet marrëveshje mes Speciales dhe Belgjikës për të dënuarit – VOX

Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara, “vuajtja e burgimit bëhet në njërin shtet që Kryetari i Dhomave të Specializuara cakton nga mesi i atyre shteteve që kanë treguar gatishmëri për t’i pranuar personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara për kohëzgjatjen e dënimit të shqiptuar, në pajtim me aranzhimet e bëra nga Dhomat e Specializuara”.

Salih Mustafa ishte dënuar fillimisht me 26 vjet burg nga Gjykata Speciale në vitin 2022.

Një vit më vonë, një Panel i Apelit atij ia uli dënimin në 22 vjet e përfundimisht në vitin 2024 Supremja vendosi për dënim prej 15 vitesh burg.

Ankesat e mëtutjeshme të “Calit” në Supreme e Kushtetuese nuk u miratuan.