Si “Gjykatë të turpshme” e ka quajtur Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, Gjykatën Speciale.
Këto komente, Çitaku i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që Specialja nuk e la Salih Mustafën – “Calin”, që ta vizitojë babain e tij, Jahja Mustafa, i cili vdiq sot.
“Baba i Calit ndërroi jetë pa pasur mundësinë që, për herë të fundit, t’ia shtrëngojë dorën të birit. Pa pasur mundësinë ta përqafojë, të çmallet, qoftë edhe për pak çaste, para se të largohej nga kjo botë”, shkroi Çitaku.
Calit, tha ajo, “iu mohua takimi i fundit me të atin”.
“Kjo nuk është drejtësi. Kjo nuk është njerëzi. Gjykatë e turpshme”, përfundoi Çitaku.









