Ka ndërruar jetë Jahja Mustafa, babai i Salih Mustafës, i dënuar nga Gjykata Speciale me 15 vjet heqje lirie. Që një kohë të gjatë, “Calit” i ishin refuzuar një pas një kërkesat për “vizitë humanitare” tek babai i tij që ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Në lidhje me këtë çështje kishin reaguar edhe Organizatat e Dala nga Lufta.

“OVL UÇK shpreh shqetësimin e thellë për refuzimin e Dhomave të Specializuara në Hagë që t’i mundësojnë Salih Mustafës një vizitë humanitare pranë babait të tij, i cili ndodhet në gjendje kritike shëndetësore”, thuhej në reagimin e OVL-UÇK-së.

“Refuzimi i kësaj kërkese është i pakuptimtë, johuman dhe në kundërshtim me parimet themelore të të drejtave të njeriut”, shtonte.

Në dhjetor të 2022-s, Mustafa ishte dënuar nga Gjykata Speciale për krime lufte me 26 vjet burgim. Një vit më pas, në dhjetor të 2023-s, Apeli ia kishte ulur dënimin në 22 vjet burgim.

Ndërsa, më 10 shtator 2024, ishte njoftuar se Paneli i Gjykatës së Apelit shqiptoi ndaj Mustafës dënim të njësuar prej 15 vjetësh burgim duke llogaritur dhe kohën në paraburgim.

Salih Mustafa u arrestua në Prishtinë më 24 shtator 2020. Po atë ditë, ai u dërgua në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Mustafa është personi i parë që u dënua nga Gjykata Speciale nën akuzat e krimeve të luftës.