Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Nasim Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si “gjykatë të mesjetës”, pas refuzimit për t’i lejuar Salih Mustafës vizitën tek babai i tij, i cili ndërroi jetë të enjten.
“Kjo gjykatë mburret me padrejtësinë dhe shkeljet e të drejtave të njeriut që i bën. Është një gjykatë e mesjetës; sillet dhe vepron si diçka që nuk i jep llogari askujt. Prandaj mendoj se kjo është klithma e fundit dhe thirrja e fundit që njerëzit, por edhe shtetet financuese të kësaj gjykate, të reflektojnë mbi këto padrejtësi të vazhdueshme, të cilat po ndodhin njëra pas tjetrës”, tha Haradinaj për VOX Kosova.
Sipas Haradinajt, ky nuk është rasti i parë i shkeljeve nga ana e Gjykatës Speciale, veçanërisht në raport me të drejtat e Salih Mustafës.
Ai theksoi se për më shumë se tri vjet, Mustafa kishte kërkuar vazhdimisht leje për të vizituar babanë e tij, i cili ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Pavarësisht vërtetimeve mjekësore se babai i tij ishte shumë i sëmurë, madje vuante edhe nga kanceri, asnjëherë nuk iu dha e drejta për ta vizituar”, deklaroi Haradinaj.
Për Haradinajn, arsyetimet e Gjykatës kanë qenë të paqarta, duke u thirrur herë në mungesë sigurie, ndërsa shpesh as nuk është kthyer përgjigje ndaj kërkesave.
Haradinaj potencoi se qëllimi i këtyre veprimeve nga Gjykata Speciale është edhe përulja morale e të akuzuarve, të cilët, megjithëse të burgosur, kanë treguar dinjitet dhe krenari në qëndrimin e tyre.









