“Nuk dihet ku e kanë kokën”, ka thënë Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, për protestat në Shqipëri, të cilat janë duke u mbajtur tash e 25 ditë me radhë. Ahmeti vlerësoi se këtu ka ndërhyrje nga jashtë me qëllim dëmtimin e Shqipërisë.
Derisa kujtoi rolin e Shqipërisë në ndihmën ndaj Kosovës, ai tha se “Shqipëria është pjesë e pandarë e lirisë së Kosovës”. “Pa ndihmën, pa mjetet e Shqipërisë, Kosova nuk do të ishte Kosova që është sot”, thekson ai.
Prandaj, kreu i BDI-së pohon se “me dhimbje po i përcjellim gjërat”. “Ne shohim që këtu Shqipëria, nga këto protesta, që nuk dihet ku e kanë kokën, merr dy goditje. Goditje të forta. Industria kryesore e Shqipërisë është turizmi. Goditet turizmi”.
Ai foli edhe për dy shtete, të cilat sipas tij, kanë ndikim në protesta – Greqia dhe Serbia.
“Nga doli fushata e parë? Nga Greqia, sepse turizmi po i rrezikohet nga Shqipëria, po i rrezikohet Greqisë”.
“Kush u bë zëdhënës i parë i kësaj fushate? Në Beograd. I njëjti që bën fushatën e protestave në Serbi, bën fushatën për protestat në Shqipëri”.
Ahmeti iu përgjigj edhe kritikëve që mund të thonë se ai po e mbron Edi Ramën, duke e mohuar një gjë të tillë.
“Dikush mund të ngritët, Ali Ahmeti po mbron Edi Ramën. Jo, Ali Ahmeti mbron Shqipërinë dhe i dhimbset Shqipëria, po goditet dega kryesore e industrisë, turizmi. Dega kryesore: investimet e huaja dhe vendore. Asnjë investitor nuk rrezikon kapitalin e vet aty ku ka pasiguri”.
“Kush tenton ty krijojë pasigurinë në Shqipëri?”, pyet Ahmeti, për të dhënë menjëherë përgjigje: “Armiqtë e kombit shqiptar”.
“Unë nuk them se këta që kanë dal aty në shesh janë armiq, po kanë rënë në grackën e armiqve, pa e analizuar dhe pa e studiuar mirë pasojat që i shkaktojnë kombit, jo vetëm në Shqipëri, po edhe më gjerë”.
Protestat në Shqipëri kanë filluar që 25 ditë. Ato po mbahen çdo ditë nga ora 18:00.
Qytetarët e Shqipërisë po protestojnë për të kundërshtuar projektin për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe Lagunës së Nartës, në rrethinën e Vlorës.
Protestuesit po kërkojnë edhe dorëheqjen e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.









