Protesta nis herët në Tiranë. Qysh në mëngjes.

Bashkë me porosinë e një kafeje kjo vajzë lexon gazetën me mllef bri selisë së Partisë Socialiste.

“I them Kryeministrit që ne jemi shqiponjat dhe ne nuk ikim drejt ferrit, ne po ikim drejt dritës”, thotë një qytetare.

Pak më lartë në sheshin Skënderbe herë pas here dëgjohen brohorima.

Ka mbi 20 ditë që Tirana po vlon nga qytetarë të revoltuar politikisht.

Por, çfarë i nxorri shqiptarët në rrugë?

Gjithçka nis në Zvërnec.

Imazhe të prodhuara me inteligjencë artificiale, që vendosnin një kufi me Izraelin diku në jug të Shqipërisë, u shpërndan masivisht nga një grumbull faqesh fiktive.

Banorë të Zvërnecit, fshat i Vlorës, u mblodhën afër një gardhi metalik, që rrethonte një parcelë bregdetare e destinuar për ndërtimin e një resorti miliardësh nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump.

Disa efektivë privatë sigurie grushtuan dhe tërhoqën zvarrë një protestues në sytë e policisë.

Protestuesit u irrituan nga indiferenca e policëve prezentë dhe kjo bëri që protesta të zhvendosej në Tiranë për një qëllim tjetër: rrëzimin e krejt establishmentit politik.

 “Gjithçka u filmua, u përhap në rrjete sociale dhe kjo ngjalli një indinjatë të jashtëzakonshme në shoqërinë shqiptare. E në Zvërnec shteti s’kishte asgjë. Shteti ishte komplet i çarmatosur përpara rojeve private, ose siç i quajnë gjithkush nga ne gangsterëve të oligarkëve. Edhe të nesërmen e kësaj ngjarje nisëm protestat në Tiranë. Nisën nga qytetarë të vetorganizuar, njerëz të indinjuar të cilët nuk mund të pranonin atë që po ndodhte”, deklaron Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori

Kryeministri Rama, pasi pa revoltën, u shpreh i gërditur nga imazhi po ashtu.

“Sjellja e kompanisë së sigurisë ishte e neveritshme. Dhe jo më pak e neveritshme ishte edhe sjellja e drejtuesve të policisë vendore. Ka pasur reagim të menjëhershme nga ana e lidershipit të Policisë së Shtetit, qoftë me shkarkimin e drejtorit të Policisë së Vlorës dhe vendosjen nën hetim të të gjithë zinxhirit, qoftë me heqjen e lincecës së aktivitetit të kompanisë. Pra, ajo kompani nuk mund të operojë më në Republikën e Shqipërisë”, thoshte Rama.

Por, menjëherë pas masave ndëshkuese Rama filloi të merrej me protestuesit.

“Si mund të jenë gazetat e Greqisë aleatët tuaj në mbrojtjen e mjedisit të Shqipërisë? Pyeteni veten si ndodh kjo”, deklaronte Kryeministri.

“Duhet të jesh idiot të mohosh përfshirjen aktive të një vendi armik, i vetmi vend armik që ka Republika e Shqipërisë. Jo se kemi zgjedhur ne ta bëjmë armik, po se ka tentuar të na shkatërrojë të gjithë investimin që kemi bërë për infrastrukturën digjitale, është Republika Kohmeiniste e Iranit”, pohonte Rama.

Ishte befasi që Sali Berisha, plaku i politikës shqiptare, nuk ua ngjiti dorën protestuesve.

“Ata që qajnë elegjinë e Sazanit, ata janë një grup hipokritësh”, thoshte Berisha.

Një grumbull partish të vogla, që zënë shumë pak ulëse Kuvendi, shfrytëzuan momentin dhe dolën në krahun e protestuesve.

Adriatik Lapaj, një politikan i ri, udhëheqës i partisë “Shqipëria Bëhet” që për 108 kishte protestuar i vetëm para kryeministrisë, tash po proteston mes mijërave qytetarëve.

 “Ka qenë një protestë 108 ditore përballë kryeministrisë, ku sigurisht në mënyrë të vazhdueshme u bashkuan qytetarët. Pastaj thirrja ka qenë tërë kohës, gjatë gjithë kohës, që qytetarët duhet të dalin përtej logeve partiake, sepse loget partiake i ndanin njerëzit në grupime të ndryshme, duke mos lejuar një grumbullim të madh, masiv. Fatmirësisht… fatmirësisht… tashmë qytetarët janë në shesh”, deklaron Lapaj.

Arlind Qorri është një tjetër politikan mbështetës i protestës.

Një i majtë radikal me seli të partisë në një shtëpie të vjetër zogiste erdhi të flasë pasi kishte kryer ligjëratat si profesor në Universitetin e Tiranës.

 “Sigurisht ne nuk jemi kundër investimit në vetvete, mirëpo investimi duhet bërë në bazë të rregullave, duhet bërë duke ruajtur natyrën, trashëgiminë kulturore, sepse ti nuk mund të ndërtosh një kazino në Kalanë e Krujës. Këto janë zona të trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar, madje edhe të njerëzimit, se janë aq të rëndësishme saqë janë pjesë edhe e një trashëgimie kulturore përtej Shqipërisë, ashtu si kundër nuk mund të shkatërrosh zonat e mbrojtura siç është ajo e Nart pishporës ku ndodhet edhe Zvërneci”, deklaron Qori.

Por, ka edhe politikan të partive të mëdha që e përkrahin protestën.

Siç është deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

“Unë atje takoj të rinj që më thonë protestoj se dua të ndryshojë Shqipëria, takoj pensionistë që thonë që po protestojë për pensione më të larta. Secili shkon atje për një arsye të caktuar. Unë shkoj se protestoj kundër Qeverisë. Dhe unë besoj se nuk ka gjë më të shëndetshme që të ketë një protestë edhe qytetare”, deklaron Tabaku.

Derisa gjithë dita është në frymë proteste, ajo fillon e masivizohet rreth orës 18:00.

Organizim klasik nuk ka.

“Bashkoheni me ne”, bërtasin protestuesit.

Si shumë të panjohura rreth protestës e tillë është edhe forma e grumbullit.

“Pikërisht kjo është e bukura e kësaj proteste se s’ka organizator”, deklaron një qytetar.  

Teksa mblidhen një nga një, protestuesit presin thirrjen e Benit. Megafonistit të protestës.

“Dalëngadalë fillojmë të marshojmë me moton ‘Edi Rama o legen, prite popullin se po vjen’. Edi Rama o legen, prite popullin se po vjen!”, është thirrja e Benit.

Në anën tjetër, qeveritarët thonë se turmat po trembin turistët.

“Ne jemi ndier të sigurt. Pra, jo. Unë mendoj… Ne ndihemi të sigurt. Jemi ndier të sigurt”, deklaron një turiste amerikane.

Por, një protestë që nuk ka një lider udhëheqës, trupë organizuese, kërkesa jo dhe krejt të fiksuara, a rrezikon të zbehet me kalimin e kohës?

 “Mendoj që nuk duhet lejuar që të kthehet në një film të parë çdo natë i njëjtë. Protesta duhet të shkojë drejt afateve, sepse boll është boll, kjo nuk mund të zgjasë në pafundësi. mosbindja civile me mjete demokratike duhet të jetë një opsion real, që nënkupton, që ne duhet të pamundësojmë funksionimin normal të përditshmërisë së një shteti, i cili na vjedh”, thotë Lapaj.

Në anën tjetër edhe Kryeministri Edi Rama duket i vendosur.

S’e ka ndërmend ta plotësojë kërkesën kryesore të protestës. Dorëheqjen e tij.

“Kam pasur shumë mesazhe, nuk e di se për çfarë arsye, si, qysh tek, mund ta kem lënë edhe përshtypjen sikur më ka shkuar ndërmend që unë të jap dorëheqjen”, thotë Rama.

Kërkesa e protestuesve për dorëheqje dhe qëndrimi shpërfillës i Ramës për ta bërë është kundërshtia që po e mban lart tensionin në Tiranë.

A po ndërtohet një Shqipëri e re që ende s’dihet si do duket?

Apo Rama që ka 14 vjet në krye të shtetit shqiptar do ta mbijetojë edhe këtë sfidë, më të madhen?

E vërteta është se cilido skenar ta shkruajë fundin e kësaj ngjarje, politika shqiptare me shkundjen që ka pësuar nga kjo protestë kokëfortë nuk do të jetë më kurrë e njëjta.