“Mbrëmë është përmbysur koncepti i partisë-shtet, ku një individ provon të bëhet mbret. Është përmbysur autokrati Albin Kurti”, ka thënë Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Këto komente, Haradinaj i bëri përmes një postimi në Facebook, pasi që të martën dështoi seanca për zgjedhjen e Presidentit dhe Kuvendi u shpërnda automatikisht, që nënkupton se Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve.
Tash, kreu i AAK-së theksoi se “fjalën e ka sovrani, i cili mban mend e nuk falë”. Vendimmarrja i është kthyer atij”, shtoi.
“Mbrëmë ka fituar Kushtetuta dhe ligji përballë populistit Albin Kurti. Ka fituar vetëdija dhe rezistenca e opinionit publik e faktorit politik se nuk do të lejohet shkatërrimi i rendit politik e kushtetues të vendit. Ka fituar koncepti se nuk ka individ e as parti që mund ta rrezikojë ekzistencën e shtetit”, potencoi ai.
Haradinaj pohoi se megjithëse me ditën e djeshme Kosova i ka rrumbullaksuar “gjashtë vjet të humbura nën këtë pushtet”, duke iu referuar kohës që kur Albin Kurti është në pushtet, “prej sot nis një etapë e re për shtetin”.
“Aleanca si parti dhe unë si drejtues i saj, kemi qenë bashkëpunues e të ndershëm sa s’ka për ta kaluar këtë krizë politike, por të tjerët ishin dehur pas pushtetit duke e harruar shtetin”.
“Për Kosovën deri në frymën e fundit!”, përfundoi ai.









