Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se e respekton vendimin e Kuvendit të LDK-së, i cili nuk e miratoi dorëheqjen e Abdixhikut nga pozita e Kryetarit të partisë më të vjetër në vend.

Këto komente, Bajrami, e cila kishte kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të Abdixhikut pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit, i bëri në një prononcim për gazetarët pas përfundimit tëmbledhjes së Kuvendit të LDK-së.

“E kam thënë edhe më herët, po e përsëris prapë: LDK-ja është me e madhe se secili prej nesh. E respektoj vendimin e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha shkurt Bajrami.

Abdixhiku fitoi në procesin e votëbesimit të proklamuar si ofertë dorëheqje që u zhvillua sot në Kuvendin e LDK-së.

Në votëbesimin që u zhvillua në mënyrë të fshehtë, delegatët e LDK-së nuk e pranuan dorëheqjen e tij. Diferenca mes atyre që ishin pro dhe kundër dorëheqjes së Abdixhikut ishte e ngushtë.

Në votim, 164 delegatë votuan kundër dorëheqjes së Abdixhikut, ndërsa 136 të tjerë votuan për largimin e tij.