Lumir Abdixhiku ka fituar në procesin e votëbesimit të proklamuar si ofertë dorëheqje që u zhvillua sot në Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në votëbesimin që u zhvillua në mënyrë të fshehtë, delegatët e LDK-së nuk e pranuan dorëheqjen e tij. Diferenca mes atyre që ishin pro dhe kundër dorëheqjes së Abdixhikut ishte e ngushtë.
164 delegatë votuan kundër dorëheqjes së Abdixhikut, ndërsa 136 të tjerë votuan për largimin e tij.
Në nisje të Kuvendit, Abdixhiku mbajti në fjalim, ku ndër të tjera mori përgjegjësinë për humbjen në zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit dhe sulmoi ata që i kanë kërkuar dorëheqjen, dhe më pas punimet u mbyllën për publikun.
Në një konferencë për media, pas publikimit të rezultateve preliminare më 28 dhjetor, Abdixhiku, në gjendje të rënduar, ishte shprehur i gatshëm që të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të LDK-së.
Por, më pas ai tha se e ofron dorëheqjen dhe i mbetet Kuvendit të LDK-së që të vendos nëse do t’ia pranojë apo jo, derisa filloi sulmet ndaj gjithë kritikëve të tij.
Nga ana tjetër, Avdullah Hoti shpalli kandidaturën e tij për kryetar të partisë më të vjetër në vend, pasi që konsideronte se dorëheqja e Abdixhikut ishte punë e kryer dhe nuk ka nevojë për një proces votëbesimi, por kandidaturës së tij as që i erdhi radha.








