Pesë (5) ditë pasi që dështoi që të bëhet Kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, në cilësinë e deputetit, ka prezantuar buxhet të premten si gjoja Kryeministër.

Në seancën e së dielës (26 tetor), Kurti dështoi që t’i marrë 61 votat e nevojshme për ta krijuar qeverinë e re si i mandatuar nga Presidentja Vjosa Osmani për formimin e ekzekutivit të ri si fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kurti dhe kabineti që ai prezantoi, ku spikatën ata që kanë afera korruptive e qëndrime skandaloze kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, morën 56 vota për, 54 kundër dhe 4 abstenime.

Vetëm 5 ditë më vonë, në një situatë të paprecedent, duke shpërfillur çdo rregull ligjore të Kosovës, propozoi buxhetin për vitin 2026 në cilësinë e Kryeministrit, ndonëse është vetëm deputet.

Madje, ai ftoi kolegët e tij deputetë të Kuvendit të Kosovës që t’ia votojnë buxhetin që ai e paraqiti.

Paraqitja e këtij buxheti nga Kurti, vjen në një kohë kur të gjitha partitë politike, përfshirë edhe atë vetë, janë deklaruar në favor të zgjedhjeve të reja, pas dështimit të parë për krijimin e qeverisë së re.

Kjo do të vendoset sot në takimin që ka thirrur Presidentja Osmani me krerët e partive politike në ora 12:00.

Në takim do të marrin pjesë, Kryetari i VV-së, Albin Kurti, ai i PDK-së, Memli Krasniqi, ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ai i AAK-së, Fatmir Limaj dhe kreu i Nismës, Fatmir Limaj.

Ata do të japin qëndrimin e tyre nëse janë në favor të një shumice të re, apo për zgjedhje të reja, ndonëse deri më tani të gjithë janë deklaruar për zgjedhje të reja.