Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, përmes një postimi në rrjetin social “Bluesky”, ka kritikuar refuzimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e Listës Serbe.

“Më vjen keq për sjelljen penguese të disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në refuzimin për të certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike nga aktorët politikë”, ka shkruar Rudolph.

Një ditë më parë, Lista Serbe sërish nuk është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.

Në mbledhjen e mbajtur të martën, rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe ka marrë vetëm dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime.

Anëtarët e VV-së në KQZ, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi kanë votuar kundër certifikimit gjersa përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë abstenuar.