Lista Serbe sërish nuk është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit. Në mbledhjen e mbajtur sot, rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe ka marrë vetëm dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime.

Anëtarët e VV-së në KQZ, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi kanë votuar kundër certifikimit gjersa përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë abstenuar.

Një episod i ngjashëm ishte zhvilluar edhe në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit. Fillimisht, KQZ refuzoi ta certifikojë Listën Serbe, duke pretenduar se disa kandidatë ishin të lidhur me struktura paralele serbe. Lista Serbe e ankimoi vendimin në PZAP, i cili vendosi që KQZ është e detyruar ta certifikojë subjektin pasi refuzimi ishte i paarsyetuar. Në fund, edhe Gjykata Supreme la në fuqi vendimin e PZAP-it, duke i hapur rrugë pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje.