Në sallën e gjyqit të Hagës, të hënën, një ish-diplomat amerikan e rrëzoi në pak minuta një nga akuzat më të rënda që rëndon mbi ish-krerët e UÇK-së, atë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”. James Rubin, ish-ndihmëssekretar i Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, u ul përballë trupit gjykues dhe tha se Hashim Thaçi “nuk kishte autoritet, as nuk kishte mundësi të diktonte asgjë, por thjeshtë pasqyronte vendimet që merreshin” nga lidershipi i UÇK-së.
Dëshmia e tij do të vazhdojë edhe sot (e martë, 16 gusht). Rubin është dëshmitari i parë i mbrojtjes – dhe paraqitja e tij është si prelud i një radhe emrash të njohur ndërkombëtarë që pritet të dalin në Hagë për të folur në favor të ish-krerëve të UÇK-së: gjenerali amerikan Wesley Clark, ish-kryeadministratori i Kosovës, Bernard Kouchner, ish-ambasadori amerikan, William Walker… të gjithë figura që në vitet e luftës ishin aleatë të Kosovës.
Dëshmitarë kanë thirrur vetëm Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi, ndërsa Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi jo.
Ish-krerët e UÇK-së – Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi – që nga 5 nëntori i 2020, po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ata akuzohen nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.
Procesi gjyqësor ndaj tyre filloi në prill të vitit 2023. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 16 prill të këtij viti, bëri me dije se ka mbyllur paraqitjen e provave ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Gjatë kësaj kohe, pak më shumë se dy vjet, ZPS-ja thirri 125 dëshmitarë dhe paraqiti afër 3 mijë prova materiale.