Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar me shqetësim pas deklaratës së Kryeministrit në Detyrë, Albin Kurti, i cili u ka kërkuar organeve të drejtësisë dhe të sigurisë hetimin e Exit Poll-eve, pasi që, sipas tij, janë cenim i demokracisë dhe sigurisë së shtetit.

AGK-ja e ka vlerësuar këtë thirrje si “të rrezikshme dhe sulm të hapur ndaj lirisë së medias”.

“Mediat në Kosovë kanë respektuar Ligjin për Zgjedhjet dhe rregulloren e KPM-së, dhe nuk kanë postuar asnjë Exit Poll, para orës 19:00, deri në momentin kur janë mbyllur qendrat e votimit”, thuhet në njoftim të AGK-së, ku theksohet se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje në procesin zgjedhor nga mediat.

Ata e kanë ftuar Kurtin dhe partinë e tij që të mos ndërhyjë dhe të mos bëjnë presion ndaj mediave gjatë punës së tyre për mbulimin e zgjedhjeve.

“Exit Pollet kanë histori të gabimeve edhe në shumë vende të tjera demokratike, duke përfshirë SHBA-të në vitin 2016”.

Ndryshe, në një konferencë për media të hënën, Kurti ka kërkuar nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë hetim për Exit Pollet e Mitrovicës.

“Ajo që ndodhi më 12 tetor rreth raportimeve për Mitrovicën, duhet hetuar e hulumtuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për huqje, por për një ingjiniering të paramenduar për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor”, tha Kurti.

“Exit Pollet e prezantuara gabimisht me 16 pikë të për qindjes dallim e më tepër se aqnga më shumë se një organizatë dhe për të njëjtën komunë dhe postimi i lajmeve të rreme se kush ishte fituesi ende pa u mbyllur vendovtimet, nuk janë thjeshtë një huqje, është cenim i demokracisë, zgjedhjeve të lira dhe integritetit e sigurisë të shtetit tonë. I ftoj organet e drejtësisë dhe sigurisë që të merren me këtë çështje”, shtoi.

Exit Pollet, që u prezantuan pas mbylljes së të gjitha qendrave të vendvotimeve, e nxorën Arian Tahirin e PDK-së fitues pa balotazh në Mitrovicë. Por, numrimi i votave tregoi diçka tjetër, një garë të ngushtë mes Tahirit me Faton Pecin e VV-së.

Sipas rezultateve të publikuara në KQZ, Peci dhe Tahiri do të përballen në balotazh.