Albin Kurti ka kërkuar nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë hetim për Exit Pollet e Mitrovicës, pasi që, sipas tij, janë cenim i demokracisë dhe sigurisë së shtetit.
“Ajo që ndodhi më 12 tetor rreth raportimeve për Mitrovicën, duhet hetuar e hulumtuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për huqje, por për një ingjiniering të paramenduar për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor”, tha Kurti.
“Exit Pollet e prezantuara gabimisht me 16 pikë të për qindjes dallim e më tepër se aqnga më shumë se një organizatë dhe për të njëjtën komunë dhe postimi i lajmeve të rreme se kush ishte fituesi ende pa u mbyllur vendovtimet, nuk janë thjeshtë një huqje, është cenim i demokracisë, zgjedhjeve të lira dhe integritetit e sigurisë të shtetit tonë. I ftoj organet e drejtësisë dhe sigurisë që të merren me këtë çështje”, shtoi.
Sa i përket rezultatit, ai tha se për partinë që ai udhëheqë, është shumë i mirë. “Vëreni me kujdes: katër komunat ku ka qeverisur Vetëvendosja – Podujevë, Kamenicë, Shtime, Gjilan – çfarë mbështetje e madhe popullore për kryetarët tanë atje”.
“Rezultati është shumë mirë sepse jemi gjithandej nëpër balotazhe dhe jemi subjekti i parë edhe për nga numri i komunave që ka fituar pa balotazh, por edhe nga numri i komunave ku jemi në balotazh”, shtoi.









