Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Driton Selmanaj, ka thënë se ka dyshime se manipulimi i votave të kandidatëve për deputetë, i cili po vërtetohet pas rinumërimit te votave, ka qenë “skenar i mirëorganizuar dhe ka përfshirë të gjithë kandidatët dhe të gjitha partitë politike për ta balancuar dhe shpërndarë abuzimin tek të gjithë, në mënyrë që të mos identifikohet lehtë si problem”.

“E them me bindje, se ajo çka po vërtetohet në komunën e Prizrenit, nuk është rast i izoluar por një dukuri që ka ndodhur në gjithë Kosovën. Prandaj edhe në shkurt edhe tani rinumërimi i të gjitha kutive ka qenë dhe është i DOMOSDOSHËM”, shkroi Selmanaj në Facebook.

Selmanaj, të cilit pas rinumërimit deri më tani i janë hequr rreth 900 vota thotë se “rinumërimi në Prizren, po nxjerrë të dhëna tejet shqetësuese, ku të gjithë kandidatëve të të gjitha partive politike pa përjashtim i janë prekur apo ndryshuar votat”.

“Disa me dallime shumë të mëdha e disa më të vogla, por asnjë nuk i ka shpëtuar abuzimit apo ndryshimit të vullnetit qytetar”, shtoi ai.

Ky fakt, sipas tij, “nxjerrë dyshime për skenarë të mirë organizuar për abuzim masiv të votave për të gjithë kandidatët”.

Si kandidat për deputet dhe si Kryetar i Degës së LDK-së në Prizren, Selmanaj theksoi se “distancohem tërësisht nga kushdo që ka marrë guximin të tjetërsoj vullnetin e qytetarëve të komunës sonë”.

Ai potencoi se ka dyshime se ky ka qenë skenar i mirëorganizuar, por shtoi se “këtë tashmë i mbetet ta vërtetojnë organet e drejtësisë”.

“Po e përsërisë atë që e kam thënë edhe për zgjedhjet e 9 shkurtit, se KQZ, Prokuroria dhe institucionet tjera kompetente, në kuadër të kompetencave ligjore dhe kushtetuese, duhet t’i ndërmarrin të gjitha veprimet që ta rikthejnë rregullsinë e procesit dhe me këtë abuzuesit të marrin dënimin e merituar”.

Vota e secilit qytetar, thotë ai, “është e shenjtë dhe të gjithë pa përjashtim duhet të angazhohemi që ato të mbrohen me çdo kusht”.

“Mbrojtja e rregullsisë së procesit ku përmes votës shprehet vullneti politik i qytetarëve tanë, është misioni më PATRIOTIK që sot mund t’i bëjmë vendit tonë. Pa asnjë dyshim Lidhja Demokratike e Kosovës duhet ta udhëheqë këtë mision!”.

Rinumërimi i votave në gjithë Kosovën, në vlerësimin e tij, “është e vetmja mënyrë që zbardh të vërtetën dhe rikthen besimin e të gjithëve për këtë proces elektoral”.

MANIPULIME Kandidati i PDK-së minus mbi 4500 vota gjatë rinumërimit – këta janë kandidatët që ju hoqën më së shumti vota