Ky lajm është përditësuar

Procesi i rinumërimit të votave të kandidatëve për deputetë është afër përfundimit. Gjatë këtij procesi, kanë rezultuar manipulime të mëdha të votave të kandidatëve për deputetë brenda partisë, posaçërisht tek Partia Demokratike e Kosovës.

Ndryshimi më i madh i votave ka ndodhur në Prizren. Fetah Paçarizit të PDK-së i janë hequr 5 mijë e 133 vota.

Pas tij, është kandidati tjetër nga kjo parti, Nait Hasani, me 2 mijë e 882 vota të hequra.

2 mijë e 52 vota i janë larguar edhe Kujtim Gashit të PDK-së. 1 mijë e 722 i janë hequr Luljeta Veselaj Gutaj po nga kjo parti.

Shifrën mbi 1 mijë vota që i janë larguar nga lista e PDK-së e mbyll Arianit Çollaku me 1 mijë e 572 vota të hequra në total.

Manipulime ka pasur edhe tek partitë tjera. Xhavit Ukajt të Lidhjes Demokratike të Kosovës i janë hequr deri më tani 1 mijë e 349 vota.

Pas tij renditet Driton Selmanaj me minus 929 vota. I treti në LDK me minus vota është Anton Quni me 458 vota. Me 375 vota më pak rezulton edhe Visar Azemi.

Tek Vetëvendosje, më së shumti vota i janë hequr Arbër Rexhajt – 552 vota. E dyta është Rea Krasniqi me minus 477 vota. Edhe Valon Ramadani figuron me një ulje prej 407 votash, ndërsa me 363 është Dafina Alishani.