“Nuk mund t’i dijë të gjitha hollësitë e secilës kompani”, ka qenë arsyetimi i Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, kur është pyetur se pse e ka vizituar e promovuar një kompani e cila pretendonte që prodhon dronë ushtarakë, por që u zbulua se ka mashtruar duke marrë video të kompanive kineze që merren me prodhimin e dronëve dhe duke i postuar ato si autentike.

“Unë kam vizituar me qindra kompani anë e mbanë Kosovës gjatë këtij katër vjeçari nuk mund të them se mund t’i dijë të gjitha hollësitë e secilës kompani, mirëpo natyrisht unë jam i hapur që t’i dëgjoj edhe kritikat atëherë kur diçka ka qenë ashtu siç më është prezantuar, por duhet ta keni parasysh që kur vie të aspektet e hollësishme teknike e profesionale nuk mund ta di paraprakisht se cilat janë ato saktësisht për secilën kompani”, tha Kurti në një prononcim për media.

Në nëntor të vitit të kaluar, Kurti kishte marrë pjesë në promovimin e të ashtuquajturve dronë ushtarakë të kompanisë “Future Minds Academy”, e cila udhëhiqet nga një person i quajtur Ridvan Aliu.

“Shteti ynë po shndërrohet në vend që prodhon. Në Gjilan, bashkë me kryetarin Hyseni, vizituam kompanitë e prodhimit të dronëve ushtarak “Skifteri” dhe dronët civil, nga “Future Minds Academy” dhe MIGA SkyShield MAR”, shkruante Kurti në atë kohë.