Kosovari Ridvan Aliu, i cili pretendon se prodhon dronë ushtarak në Gjilan, ka publikuar disa video, përmes të cilave ka tentuar që të paraqesë para opinionit publik gjoja “testimin e dronit kosovar”. Por, kjo rezulton të jetë mashtrim.
Më 30 tetor të vitit të kaluar, Aliu publikoi një video, duke pretenduar se ishte testuar droni “Skifteri K1”. Megjithatë, pamjet rezultojnë të jenë publikuar më herët në YouTube, më 27 tetor 2025, nga një kompani kineze.
Bëhet fjalë për kompaninë “Hinaray Technology”, e cila figuron si prodhues i dronëve ushtarakë në Kinë.
Aliu mashtroi edhe me një video tjetër, të cilën e publikoi më 18 janar 2026. Ai ka përpunuar një video të një kompanie kineze me emrin “LOONG”, e cila merret me prodhimin e dronëve, dhe e njëjta është publikuar në gusht të vitit të kaluar.
Nuk përfundon me kaq.
Ridvan Aliu vodhi edhe logon e dronëve që ai pretendon se prodhohen në Kosovë. Simboli i “Skifterit”, siç e emërtoi ai fluturaken, rezulton se i përket agjencisë “Sora Websoft”, e cila merret me shërbime softuerike.
Kjo kompani është me seli në Francë dhe është themeluar në vitin 2012.
Pra, personi që pretendon se prodhon dronë, ka vjedhur dy video ku bëhet lansimi i dronëve nga kompani kineze dhe është përpjekur që t’i paraqesë ato autentike dhe po ashtu ka vjedhur edhe logon e “dronit” të tij nga një kompani franceze.
Në përurimin e gjoja dronëve ushtarakë kishte marrë pjesë edhe Kryeministri Albin Kurti, në nëntor të vitit të kaluar. “Shteti ynë po shndërrohet në vend që prodhon. Në Gjilan, bashkë me kryetarin Hyseni, vizituam kompanitë e prodhimit të dronëve ushtarak “Skifteri” dhe dronët civil, nga “Future Minds Academy” dhe MIGA SkyShield MAR”, shkruante Kurti në atë kohë.








