Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, në dy vjetorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ka thënë se “pandëshkueshmëria e qartë” për këtë rast është e papranueshme dhe ka kërkuar që të vendoset drejtësi pa asnjë vonesë të mëtejshme.
“Kanë kaluar dy vjet nga sulmi i tmerrshëm në Banjskë, dhe megjithatë, udhëheqësi i vetëpranuar i këtij sulmi, [Milan] Radoijçiç, vazhdon të jetojë i lirë në Serbi”, thuhet në reagimin e ambasadës gjermane.
Aty përmendet fakti se dy vjet nga vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe “pavarësisht zotimeve të shumta se autorët do të mbahen përgjegjës, ende nuk është vendosur drejtësi”.
“Kjo pandëshkueshmëri e qartë është e papranueshme. Është thelbësore që përgjegjësia dhe drejtësia të vendosen pa asnjë vonesë të mëtejshme”, theksohet në reagim.