Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit ka tentuar t’i mësojë gazetarët se si duhet ta kryejnë punën e tyre.

“Roli i mediave profesionale dhe i gazetarëve të përkushtuar mbetet thelbësor për informimin e drejtë të qytetarëve sepse kur e vërteta cenohet, kur lajmi ngatërrohet me manipulim, kur gjysmë të vërtetat ia zënë vendin fakteve dhe kur interesat e fshehura flasin në emër të publikut, qytetari e humb orientimin dhe demokracia dobësohet”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

“Epoka jonë karakterizohet me ritëm të shpejtë informimi, ndaj sfidat për ta dalluar faktin nga interpretimi janë gjithnjë e më të mëdha.”.

Haxhiu vazhdoi me leksionet se si mediat duhet të raportojnë, duke theksuar se “hapësira publike ka nevojë për ndershmëri, për fakte, për verifikim dhe përgjegjësi. “Këto janë vlera që e forcojnë besimin dhe e mbajnë të shëndetshme demokracinë tonë”.

Ndërsa, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, kanë thënë se gazetarët në Kosovë vazhdojnë të ballafaqohen me një numër sfidash për kryerjen e punës së tyre, si çështje kryesore e kanë konsideruar një fushatë të pandalshme nga partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje, në përpjekje për të delegjitimuar punën e gazetarëve.

AGK-ja i ka bërë thirrje Qeverisë në detyrë, Vetëvendosjes dhe gjithë akterëve politikë që të respektojnë dhe të mos e pengojnë punën e gazetarëve, “si faktor kyç në zhvillimin demokratik të vendit”.